Punonjësit e Policisë së Shtetit që nuk e kryejnë dot lejen vjetore të tyre për shkak të detyrave, u paguhet sipas gradës dhe rolit, bazuar në dispozitat ligjore.

Efektivët nuk duhet të punojnë më shumë se 8 orë në ditë pa ndërprerje dhe duhet të kenë patjetër një ditë pushimi në javë. Në të kundërt orët shtesë u paguhen sipas një kalendari kohor dhe të klasifikuar sipas periudhës kohore, nëse është ditë apo natë.

Gjithashtu janë klasifikuar dispozita lehtësuese edhe për gratë shtatzëna në Policinë e Shtetit, teksa do u njihet e drejta elejes pa të drejtë pagesë punonjësve të Policisë për probleme personale, shëndetësore apo faktorë të tjera,por kjo e dejtë vetëm një herë në vit.

Këto janë kriteret e reja të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave (17 prill), mbi “Përcaktimin e rregullave dhe procedurave të kohës së punës, pushimit, trajtimit financiar, kur nuk i kryen lejet dhe disa kushte të veçanta për gratë shtatzëna në Polici”.

VKM vjen pas propozimit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 76 deri në 108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 100, pika 7, 101, pika 5, e 102, pika 4, të  ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi”, thuhet në këtë VKM,duke shpjeguar edhe nenet përkatëse, pikat dhe rregullat.

Në Nenin 1 përcaktohet se:

“Koha normale e punës/shërbimit për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 (dyzet) orë në javë. Për efekt të llogaritjes së pagës orare, muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune.

Punonjësit të policisë i sigurohet një pushim ditor i pandërprerë, prej 11 (njëmbëdhjetë) orësh, para marrjes së shërbimit/punës. Shërbimet e policisë, si rregull, organizohen sipas një planifikimi 24-(njëzet e katër) orësh, me turne, nga 8 (tetë) orë secili. Kohëzgjatja e punës natën nuk mund të jetë më shumë se 8 (tetë) orë pa ndërprerje. Ajo duhet të paraprihet ose të pasohet me pushim ditor të menjëhershëm”.

Neni 2 është më i rëndësishmi, pasi parashikon pagesat për orët shtesë dhe shërbimin jashtë orarit.

“Punonjësi i policisë që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale ditore të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:

a) 20% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00;

b) 50% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00;

c) 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.

Shtesa mbi pagë, sipas pikës 1 të këtij neni, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi.

Në nenin 3 përshkruhet zgjatja e kohës së shërbimit sipas rrethanave të caktuara, por me koston financiare pëkatëse.

“Orët shtesë të punës/shërbimit kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune, apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 – 6:00. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës dhe i shërbimit bëhet brenda 2 (dy) muajve nga dita kur janë kryer ato. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës/shërbimit me pushim, punonjësi i policisë kompensohet me shtesë page në masën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni”, theksohet në VKM.

Në Nenin 4 përfshihet shërbimi me orar shtesë për shkak të sezonit veror dhe turistik, nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator.

“Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator, kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi”, nënvizohet nga vendimi.

I rëndësishëm është edhe kreu i “Pushimeve vjetore”, të përfshira në Nenin 5 dhe më poshtë.

“Punonjësi i policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë:

a) 40 (dyzet) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “drejtues” deri “drejtues madhor”;

b) 35 (tridhjetë e pesë) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “nënkomisar”, “komisar” dhe “kryekomisar”;

c) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “inspektor”.

Punonjësi ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor edhe në periudha të ndryshme e të ndara, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës. Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore, punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në punë/shërbim.

Neni 6 parashikon edhe kompensimin financiar për pushimet vjetore të pakryera:

“Në rastet kur punonjësi i policisë nuk e ka kryer pushimin vjetor të paguar, kompensimi financiar llogaritet mbi bazën e pagës mujore referuese, duke përfshirë elementet e mëposhtme të përhershme të pagës:

a) paga për gradë;

b) shtesa për funksion (për punonjësit e rolit zbatues);

c) shtesa për natyrë të veçantë pune;

ç) shtesa për vjetërsi në shërbim;

d) shtesa për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin.

Kurse punonjësi, i cili ndërpret marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit, trajtohet menjëherë financiarisht për ditët e pushimit vjetor të pakryera, të llogaritura në raport me kohëzgjatjen e tij të punës brenda vitit kalendarik.

Kur punonjësi nuk ka kryer një vit të plotë kalendarik pune, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës së kryer brenda vitit kalendarik. Në çdo rast, pushimi vjetor jepet me urdhër të titullarit në nivel komisariati, drejtorie apo strukture të veçantë, në bazë të planifikimit vjetor.

Rastet e pushimeve të tjera të pagueshme për punonjësit e policisë janë:

a) Martesa e tij, 5 (pesë) ditë;

b) Lindja e fëmijës (baballarët), 3 (tri) ditë;

c) Vdekja e bashkëshortit/bashkëjetuesit, e paraardhësve ose e pasardhësve të drejtpërdrejtë të tij, 5 (pesë) ditë.

Në kreun pesë të VKM-së parashikohen edhe lejet pa të drejtë page, për shkaqe të ndryshme nga punonjësit e policisë.

Leja pa të drejtë page deri në 2 muaj përshkruhet në Nenin 9, deri edhe te Drejtori i Përgjithshëm, që e gëzon këtë të drejtë.

“Punonjësit e policisë gëzojnë të drejtën e lejes, pa të drejtë page, për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj, për arsye personale, jo më shumë se 1 (një) herë brenda një viti. Miratimi i lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj jepet nga drejtuesi i strukturës qendrore, vendore apo të veçantë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gëzojnë të drejtën e lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj. Në këtë rast, miratimi i lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj bëhet nga ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike”, theksohet në VKM.

Kjo leje pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekt të ecurisë në karrierë. Pas përfundimit të lejes pa të drejtë page, për një periudhë afatshkurtër deri në 2 muaj, punonjësi i Policisë kthehet në të njëjtën detyrë.

Më tej edhe leja pa të drejtë page deri në 6 muaj, në Nenin 12 të VKM-së.

“Punonjësit e policisë gëzojnë të drejtën e lejes pa të drejtë page, për një periudhë afatgjatë deri në 6 muaj, vetëm për studime, kualifikime (brenda ose jashtë shtetit) ose arsye personale të argumentuara. Kërkesa për përfitimin e saj dorëzohet të paktën 1 muaj para dhe miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk përfitojnë leje pa të drejtë page deri në 6 muaj”, shpjegohet aty.

Gjithashtu nuk llogaritet vjetërsi pune kjo kohë leje pa pagesë.

Në fund edhe kreu për kujdesin e punonjëseve shtatzëna, në Nenin 14, ku theksohet se nuk i ngarkohen detyra të rënda dhe orar i zgjatur pune, vendosen në pozicione zyre dhe jo në terren.

“Punonjësja e policisë nuk mban uniformë policore në muajt e dukshëm të shtatzënisë. Punonjësja e policisë, gjatë shtatzënisë, në pamundësi të kryerjes së detyrave funksionale në terren, mund të caktohet në detyra të tjera përveç atyre në terren”.

Gjithashtu edhe për nënat lehona me fëmijë në gji ka lehtësira. Ato, sikurse shtatzënat, nuk mund të punojnë në turnin e natës dhe detyra të rënda që u dëmtojnë shëndetin.

“Pas përfundimit të lejes së lindjes ose ndërprerjes së saj, punonjësja ka të drejtë të kthehet në të njëjtin vend pune. Në rast të ndërprerjes së lejes së lindjes, punonjësja duhet të njoftojë 1 (një) muaj përpara drejtuesin e njësisë shpenzuese dhe strukturën e burimeve njerëzore”, thuhet në VKM.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu