Këshilli i Ministrave ka përcaktuar me anë të një vendimi të miratuar këtë të mërkurë (22 janar 2025) standardet për zonat dhe parcelat e tokës ku do të lejohet kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Në VKM, theksohet se parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:të mbrojtura e me përparësi zhvillimin e turizmit, të pyjeve, kullotave, livadheve, zonave ushtarake dhe atyre të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.

Më tej, në vendimin e qeverisë thuhet se këto parcela për kultivimin dhe rritjen e kanabisit, duhet të jenë në largësi prej të paktën 3  kilometra në rrugë ajrore, nga parqet e bletëve dhe zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me 10 Janar, qeveria percaktoi kriteret dhe rregullat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe rregullat e lëvizjes së mjeteve të transportit të lëndëve të para që duhen për këtë qëllim, bashkë me planin e sigurisë. Gjithashtu janë miratuar edhe rregullat për personat që do paraqesin kërkesat për licencat e kultivimit të kanabisit.

VKM: 

2. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore janë:
a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
i. të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;
iii. ushtarake;
iv. të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
c)  parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes;
ç)  përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
d) toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).

3. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime industriale janë:
a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
i. të mbrojtura dhe të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;
iii. ushtarake;
iv. të përcaktuara si sistem urban nga dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
5. Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
6. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3,  shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.

Në VKM sqarohen gjithashtu termat: Standardet, Parcelë e tokës, Ambient i mbrojtur, Ambient i mbyllur, Zonë, Terren kultivues ose substrakt kultivues.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu