Me një vendim të ri të Këshillit të Ministrave, ndërtesa e ish-Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër i kalon zyrtarisht në pronësi Bashkisë Shkodër. Kjo ndërtesë do të përdoret për funksione administrative dhe nuk mund të tjetërsohet, jepet me qira apo ndryshohet destinacioni i saj nga Bashkia.
Gjithashtu, vendimi shton këtë pronë në listën zyrtare të pasurive publike që i janë transferuar më parë Bashkisë Shkodër, sipas një vendimi të vitit 2010.
Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në “Fletoren Zyrtare”.
VENDIMI I PLOTE:
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË SHKODËR, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “NDËRTESA E GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR SHKODËR”, ME NUMËR RENDOR 860, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR, TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Shkodër, të pronës me emërtimin “Ndërtesa e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, me numër rendor 860, sipas formularit, planit të rilevimit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi i shtohet listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Shkodër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU