Nga Beti Njuma – QEVERIA EKZEKUTON BASHKITË
Sot, në një ditë përvëluese blackout-i ku sytë dhe mendja rendin pas një topi, kanë hyrë në fuqi ndryshimet e fundit të VKM NR.408, DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”.
Është vendimi që vret përfundimisht bashkitë e vendit, vendimarrjen dhe autonominë lokale dhe vizionin e të zgjedhurve lokalë. Është vendimi që gjithashtu do të vrasë arkitektët dhe të gjithë brezat e rinj të projektuesve që do të dalin nga universitetet.
Nga sot, me ndryshimet e VKM 408, në Nenin 19 “Lejet e ndërtimit për të cilat është përgjegjëse KKTU-ja”:
– shkronjës “ë” të pikës 1, pra kompetencave të KKTU për miratim të lejeve i shtohen perveç të tjerave dhe objektet si më poshtë:
” komplekse ndërtimi multifunksionale, komplekse turistike, mbi 5000 m3” .
Kjo është ULËRITËSE. Pra të gjitha bashkitë nga sot e tutje do të japin leje ndërtimi VETËM për objekte deri në 5000 m3 aq sa është afësisht, një pallat me 5 kate dhe njollë ndërtimi 300 m2. Më saktësisht, thuajse aq sa pallatet 5 katëshe të ndërtuara para viteve 90-të.
Me këtë ndryshim lejet më të mëdha se ky volum do të përqendrohen vetëm në duart e një njeriu, kryeministrit Edi Rama Pra, kryeministri ynë, përveç politikës, impenjimeve ndërkombëtare, pikturës, skulpturës e podkasteve i ka hapur vetes edhe një front të ri pune, atë të shqyrtuesit dhe miratuesit të çdo projekti arkitekturor në vend më të madh se një pallat 5 katësh, duke lënë me gisht në gojë 61 bashkitë në vend!
Nga sot, kryetarët e bashkive nuk do të kenë më asnjë kompetencë per leje ndërtimi të rëndësishme. Bashkitë shndërrohen kësisoj vetëm në institucione taksambledhëse që do të japin leje të kategorisë së tretë, për magazina dhe shtesa kati.
Ku shkoi autonomia vendore? Po vizionet e Bashkive për zhvillimet e qyteteve ku janë votuar? Me keto ndryshime punën e 61 bashkive tani do ta bëj AZhT-ja dhe KKTU-ja. Që do të thotë se do të duhen qindra punonjës staf i kualifikuar, jo partiak, që të bëjnë punën e zyrtarëve aktualë të bashkive. Paradoksalisht, tani që administratës bashkiake i zvogëlohet puna dhe kompetencat qeveria po i rri pagat duke i unifikikuar, nga Vermoshi në Konispol.
As më shumë e as më pak DIKTATURË!
Se dyti , falë ndryshimeve të reja, që hynë sot në fuqi, vendimi tjetër që na kthen në komunizëm është ndërtimi i banesave TIP në zonat rurale. “Projekt TIP” quhen projektet e hartuara dhe miratuara nga autoriteti vendor përkatës për qëllime strehimi dhe banimi në zonat rurale, në përputhje me dokumentet e planifikimit në fuqi.” Me këtë nen, i shkelet e drejta e çdo individi që jeton në zona rurale, të ketë shtëpinë që ai do, natyrisht duke zbatuar ligjin. Nga ana tjetër, ky vendim, nxjerr jashtë loje shumë arkitektë të vjeter e të rinj, të cilëve u mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit privatisht. Është jashtë çdo logjike që në vitin 2024 me paratë e tua dhe në tokën tënde, (pasi këto nuk janë banesa sociale që t’i fal shteti) të ndertosh një objekt të projektuar për të gjithë njësoj. Luftë klasash në demokraci.
Pasi i rriti tatimin profesioneve të lira, perfshirë këtu edhe të arkitektëve, tani qeveria po i lë pa punë, ndërsa projektuesit presin prej vitesh lehtësimin e procedurave dhe afateve të dhënies se lejeve të ndërtimit, heqjen e sekserave dhe korrupsionit.
Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë VKM, është se ndryshimet vrastare kaluan në heshtje pa oponencën e askujt. Heshtën kryetarët e bashkive duke u nënshtruar në mënyrën më amatore të mundshme. Nuk reaguan as kryetarët e bashkive të opozitës. Nëse kanë qenë të informuar atëherë kjo është paaftësi. Nëse nuk kanë qenë të informuar, atëherë kjo është e jashtëligjshme dhe abuzive. Po ashtu heshtën grupet e interesit, arkitektët dhe urbanistët të cilët në të gjitha vendet normale, thirren për të mbrojtur dhe projektuar të ardhmen. Në Shqipëri, këto kategori ose nuk janë të interesuara ta ndihmojnë këtë vend qe po shkon drejt shkatërrimit në shumë fusha ose rreshtohen me kokën lart e pa iu skuqur faqja në krah të pushtetit. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe ne këtë rast!
Heshtën specialistët e fushës, pedagogët e arkitekturës dhe shoqata inekzistente e arkitektëve. Ata që duhet të ishin të parët, që të ngrinin zërin, të bënin oponencë dhe të informonin opinionin publik duke harruar se janë të parët që e pësojnë nga kjo VKM e radhës.