Mjeshtri i Madh i këngës qytetare, Bujar Qamili, vjen me një dhuratë të veçantë për Shkodrën: një koncert recital madhështor që do të mbahet më 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky është eventi i parë i këtij lloji që organizohet në këtë arenë sportive dhe njëkohësisht një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij sezoni veror.

Në një konferencë për shtyp, Bujar Qamili shprehu mirënjohjen për Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për mbështetjen pa kushte që i ka dhënë këtij projekti, duke theksuar se pa këtë mbështetje, realizimi i një koncerti të këtij dimensioni nuk do të ishte i mundur. Ai ndau gjithashtu detaje mbi koncertin, që do të sjellë në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi dhe Mateus Frroku.

Megjithatë, në nisje të konferencës u regjistrua një incident, ku disa përfaqësues të Klubit të Futbollit Vllaznia tentuan të sabotonin aktivitetin duke hequr banerat promovues të koncertit. Ky veprim shkaktoi pakënaqësi te artisti, i cili theksoi se koncerti është planifikuar me kohë dhe ka ndjekur të gjitha procedurat zyrtare.

Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, reagoi në të njëjtën linjë, duke mbështetur artistin dhe vlerësuar këtë koncert si një festë për të gjithë qytetin.
Sinkron: Sara Smaja, Drejtore e Kulturës, Bashkia Shkodër
“Qejfi bahet me Shkodranë”, koncerti recital i Bujar Qamilit pritet të shndërrohet në një mbrëmje emocionesh, krenarie dhe muzike shkodrane që i përket zemrës së këtij qyteti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu