Nga Mark Rupa

Pyetje mbi Projektin “Blue Borgo” në Rrjoll dhe Dyshimet mbi Ndryshimet Ligjore të Zonave të Mbrojtura në Vitin 2024

Në vijim të zhvillimeve në zonën bregdetare të Rrjollit, e cila ka qenë historikisht pjesë e nënzonës 1b dhe 2b me shkallë të lartë mbrojtjeje brenda Peizazhit të Mbrojtur të Lumit Buna (PMLB), dhe nisjes së ndërtimit të kompleksit turistik “Blue Borgo”, lindin natyrshëm një sërë pyetjesh të natyrës ligjore, mjedisore dhe etike në lidhje me përputhshmërinë e këtij projekti me kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës.

1. A është ky zhvillim në përputhje me zonimin e mëparshëm të zonës?
Para ndryshimeve ligjore të vitit 2024, zona ku parashikohet ndërtimi i projektit “Blue Borgo” i përkiste nënzonës 1b, e karakterizuar nga një shkallë e dytë mbrojtjeje. Sipas Planit të Menaxhimit 2016–2025 të PMLB-së, kjo nënzonë ndalonte zhvillimet intensive dhe synonte ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e habitateve dhe përdorimin e qëndrueshëm të shërbimeve të ekosistemit. Ndërtimi i strukturave të mëdha turistike konsiderohej i papajtueshëm me këtë regjim.

2. Pse ndryshoi ligji në vitin 2024 dhe cilat janë pasojat konkrete për Rrjollin?
Ligji nr. 21/2024 hoqi, në kundershtim me mendimin e ekspertëve, detyrimin për të përcaktuar zonimin dhe nënzonimin për zonat e kategorisë V (Peizazhet e Mbrojtura), duke e ruajtur zonimin vetëm për Parqet Kombëtare dhe Zonat e Menaxhimit të Integruar.
Pasojat për Rrjollin janë të menjëhershme: territori humbet statusin e mbrojtjes së nënzonës 1b, duke hapur rrugë për zhvillime që më parë do të ishin të ndaluara. Këto ndryshime ligjore u miratuan me shpejtësi, pa transparencë, pa konsultim të thelluar publik dhe pa vlerësime të pavarura, duke ngritur dyshime të forta mbi integritetin e procesit.

3. A është VKM nr. 593/2024 një mekanizëm që favorizon zhvillimet e miratuara?
VKM nr. 593, datë 25.09.2024, “Për shpalljen e Peizazhit të Mbrojtur Ujor/Tokësor të Lumit Buna, Velipojë”, përfshin dispozita që:
• Lejojnë përjashtime për projektet e miratuara nga KKTU (Komiteti Kombëtar i Territorit Urban);
• Mundësojnë marrëveshje të posaçme ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private për përdorimin e territorit;
• Zëvendësojnë kuadrin ligjor mbrojtës me marrëveshje administrative, pa vlerësim shkencor, publik apo ekologjik.
Ky precedent minon mbrojtjen e natyrës dhe krijon rrugë për zhvillime të paqëndrueshme brenda zonave të mbrojtura.

4. A përputhet ky projekt me kriteret e “turizmit të ekselencës”?
Ligji lejon zhvillimin e turizmit të ekselencës në zona të mbrojtura, por ky koncept përfshin:
• Standardet më të larta arkitektonike dhe mjedisore;
• Integrim të thelluar me natyrën dhe komunitetin lokal;
• Shmangie të ndikimeve negative në biodiversitet dhe peizazh.

Projekti “Blue Borgo” nuk i përmbush këto kritere, pasi përfshin:
• Ndërtimin e një resorti në 147.2 hektarë;
• Disa ndërtesa 10-katëshe dhe struktura të tjera deri në 3 kate;
• Rrugë të brendshme dhe lidhëse me disa km gjatësi;
• Ndërhyrje në duna ranore
• Zhvillim të një pedonaleje qendrore me funksione tregtare, teatro dhe konferenca.

Në këtë kontekst, është legjitime të pyesim:
A është etikisht dhe ligjërisht e pranueshme që, në emër të “turizmit të ekselencës”, të realizohet një projekt me ndikim të thellë ekologjik?

5. A është respektuar pjesëmarrja e publikut dhe parimi i transparencës?

Ligji shqiptar dhe Konventa e Aarhusit, kërkojnë:
• Konsultime publike të hapura dhe gjithëpërfshirëse;
• Akses të plotë në informacionin mjedisor;
• Pjesëmarrje efektive të komunitetit në vendimmarrje.

Përplasjet e banorëve me kompaninë ndërtuese dhe forcat e rendit dëshmojnë për mungesën e një procesi të besueshëm.

6. Çfarë ndodh me zonën përreth resortit dhe me “Ranën e Hedhun” – monument natyre i kategorisë III?

Zona përreth projektit është ndër më të ndjeshmet ekologjikisht në bregdetin shqiptar. “Rana e Hedhun” është një formacion natyror i rrallë me duna të lëvizshme, flora dhe fauna të veçantë, dhe është shpallur Monument Natyre – Kategoria III, që sipas ligjit ndalon çdo ndërhyrje që dëmton karakteristikat e saj natyrore.
Ndërtimet intensive, rrugët, shfrytëzimi urban dhe fluksi i shtuar njerëzor rrezikojnë seriozisht këtë ekosistem. Efektet përfshijnë:
• Humbje të biodiversitetit;
• Erozion të rritur bregdetar;
• Fragmentim të habitateve dhe shkëputje të korridoreve ekologjike;
• Degradim të peizazhit dhe karakterit natyror të zonës.
Në mungesë të një vlerësimi strategjik dhe monitorimi të rreptë, pasojat mund të jenë të pakthyeshme.

7. Çfarë synojnë banorët që protestojnë – ruajtje të natyrës apo vazhdim të ndërhyrjeve të pakontrolluara?

Ky është një dimension kompleks. Protestat e banorëve kanë artikuluar kundërshtimin ndaj projektit dhe mbrojtjen e zonës. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit në Rrjoll kanë treguar:
• Rritje të ndërtimeve individuale pa leje;
• Përdorim të pakontrolluar të bregdetit për turizëm informal;
• Mungesë të zbatimit të ligjit dhe menaxhim të dobët institucional.

Kjo ngre një pyetje legjitime: A synon protesta mbrojtjen reale të ekosistemit apo mbajtjen hapur të mundësive për zhvillime private të pakontrolluara?
Përgjigjja duhet të vijë nga një dialog transparent, një vizion i përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm, dhe angazhim institucional për menaxhimin efektiv të territorit.

Kërkesë për Veprim

Përballë këtij realiteti të dyshimtë në aspektin ligjor, ekologjik dhe etik, kërkohet që:
1. Të ndalohet menjëherë çdo veprim ndërtimor në zonën e Rrjollit, deri në përfundimin e një hetimi të pavarur dhe një vlerësimi të përputhshmërisë ligjore e ekologjike të projektit;
2. Të rishqyrtohen Ligji nr. 21/2024 dhe VKM nr. 593/2024, për të vlerësuar ndikimin e tyre mbi funksionimin e zonave të mbrojtura;
3. Të rihartohet Plani i Menaxhimit i PMLB-së, duke përfshirë zonimin e detajuar dhe referenca të detyrueshme për funksionet ekologjike dhe shkallët e mbrojtjes;
4. Të rikonceptohet roli i KKTU-së, në mënyrë që vendimet e saj të jenë të përputhshme me parimet shkencore, ligjore dhe kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore.

Ju ftojmë të ndiqni pamjet nga ajri, foto të projektit, harta e zonimit nga plani i menaxhimit te parkut, dhe video nga reagimi i banorëve të Rrjollit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu