Punonjësit e Policisë së Burgjeve do të kenë të drejtën të mbajnë armën e shërbimit edhe jashtë orarit të punës. Me vendimin e marrë dje (10 tetor 2024) qeveria përcakton rregullat se kur një efektiv i burgjeve, mund të mbajë armën e vënë në dispozicion nga institucioni jashtë orareve të shërbimit madje mund ta marrë me vete edhe në shtëpi.
Për këtë duhet që punonjësi të bëjë një kërkesë drejtuar titullarit, i cili mbledh një komision. Ky i fundit merr në shqyrtim dhe shprehet me vendim të arsyetuar, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve nëse pranon apo refuzon tia lejojë armën e shërbimit jashtë orarit.
Si do të mbahe arma?
Vendimi ka përcaktuar dhe si do të mbahet arma
Jashtë orëve të shërbimit, arma mbahet nën veshje e paekspozuar, në brez ose nën sqetull, e futur në këllëf të siguruar me kapëse që të mos dalë në mënyrë të pavullnetshme, në gjendje të shkrehur dhe e vendosur në siguresë, pa fishekë në folenë e fishekut dhe pa krehër, thuhet në vendim
Me armë në shtëpi
Gjithashtu në vendim sqarohet dhe si do të ruhet arma në banesë. Do të jetë një specialist policie i autorizuar nga titullari që do të bëjë verifikimin e kushteve të ruajtjes së armëve në banesë.
Në banesë, armën duhet ta ruajë brenda ambientit të saj, në kasetë metalike të posaçme, e bërë posaçërisht për të mbajtur armë zjarri, e blinduar, me trashësi e mekanizëm dhe çelës sigurie, e cila duhet të betonohet ose të saldohet në mënyrë të palëvizshme në mur, për të hequr mundësinë e rrëmbimit së bashku me armën.
Kaseta duhet të jetë e siguruar me çelës, që mbahet nga punonjësi i Policisë së Burgjeve, për të mos u përdorur nga persona të tjerë, si dhe të mos ketë elemente të dukshme ekspozimi apo perceptimi.
Arma në kasetë ruhet e vendosur në siguresë dhe e ndarë nga municioni dhe duhet të sigurohet me kavo bllokimi, i cili kalon në fyellin e tytës ose me bllokues të këmbëzës së shkrepjes, të kyçur me çelës, i cili mbahet nga përdoruesi i certifikuar i armës së zjarrit” thuhet në vendim.
Kushtet
Sipas vendimit, punonjësi i policisë së Burgjeve nuk duhet të jetë në ndjekje penale, do të duhet të dorëzojë një vërtetim se nuk është në ndjekje penale dhe dëshminë për aftësinë për punë, lëshuar nga organet kompetentë.
Do të dorëzojë një vetëdeklarimin për pajisjen me kasetë metalike për mbajtjen e armës në banesë.
Në rastet kur punonjësi pezullohet, lirohet ose largohet nga Policia e Burgjeve automatikisht humb të drejtën e mbajtjes së armës personale jashtë orëve të shërbimit, si dhe detyrohet ta dorëzojë menjëherë këtë të fundit.
Vendimi i miratuar ne qeveri
“Vendimi për përcaktimin e kushteve për mbajtjen e armës në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, nga punonjësi i policisë së burgjeve në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 14, të ligjit nr.80/2020, “për policinë e burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të drejtësisë, këshilli i ministrave.