Në ambientet e selisë së Partisë Demokratike është mbledhur këtë të premte Federata e Opozitës.

Fjalën e çeljes së punimeve e mbajti kryedemokrati Sali Berisha i cili theksoi se dëshmia e ish-krahut të djathtë të Edi Ramës, Arben Ahmetajt faktoi instalimin e narko-regjimit në Shqipëri.

FJALA E BERISHËS

Ky takim i Federatës opozitare vjen në prag të protestës së madhe të opozitës, në të cilën populli opozitar do t’i dëshmojë shqiptarëve dhe botës se Edi Rama përfaqëson sot kreun e narkoshtetit dhe me dëshmitë tronditëse të bazuara në dokumente autentike origjinale dhe prani fizike të Arben Ahmetajt, ai është sot një delinkuent madhor në krye të një organizate kriminale, të cilën ne e kemi damkosur me kohë.

Por vetëkuptohet kur ato dëshmi vijnë me dokumente nga bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në 10 vite, ato janë prova të pakundërshtueshme të inkriminimit të thellë të Edi Ramës.

Por ky takim dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të frontit opozitar kundër kësaj të keqe të pakrahasueshme me ndonjë të keqe tjetër që nga diktatura hoxhiste gjer sot.

Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që është sot sinonim i krimit, sinonim i një regjimi që në fjalorin politik të të gjitha kohërave, ka një term: regjimit të kakistokracisë që përmbledh të gjitha të këqijat që mund t’i bëjë një pushtet një vendi.

Dhe në fakt, një pushtet që përzë nga vatrat e tyre 40-45 përqind të popullit në 10 vite, është më i keqi që ky popull ka njohur në historinë e tij.

Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.

Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës.

Sot, Edi Rama vrapon me skemën e tij të vjetër të shkelmimit të ligjit elektoral në çdo nen të tij.

Pasi është diskredituar, vazhdon serialin e mashtrimeve të tij ndaj shqiptarëve.

Ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme fitorja e presidentit Trump në SHBA.

Në qoftë se Xhorxh Soros, përveç Aleksit, do kishte një djalë të adaptuar, ky do e kishte emrin Edi Rama në të gjitha veset dhe të këqijat e tyre.

Pra, shqiptarët fitoren e Donald Trump, disfatën fatale të Xhorxh Sorosit duhet ta shohin edhe si një triumf të tyre më shumë se të gjithë kombet e tjera.

Sepse në asnjë vend të planetit nuk gjen një të dytë, bir më shpirtëror se Edi Ramën për Xhorxh Sorosin.

Karriera e tij sorosiane fillon në vitet ’90 dhe së fundmi së bashku me bashkëshorten kanë qenë eksponentë kryesorë të doktrinës së Sorosit në Shqipëri, doktrinë e ekstremit të majtë.

Edi Rama me fanatizëm zbatoi në Shqipëri aspektet më çnjerëzore të doktrinës së Sorosit për familjen, për gjininë njerëzore.

Ne jemi njerëz tradicionalë dhe në qoftë se tradita ka një kështjellë të veten, e ka familjen.

Familja është kështjella e traditës dhe familjen pikërisht ky e sulmoi në mënyrën më të egër.

Shkollat filluan të largohen nga termat fjalët më të dashura të njeriut të të gjitha kohërave, nënë dhe baba, dhe t’i zëvendësojnë me numra 1 dhe 2. Në parlament erdhi ligji për të krijuar fermat e grave, të cilat do lindnin fëmijët e askujt.

Shqiptarët nuk janë të vetëdijshëm se çfarë rreziqesh i kanoseshin familjes shqiptare nga doktrina e Xhorxh Sorosit në Shqipëri.

Por duhet të pranojmë se me goditjen e Xhorxh Sorosit merr një goditje korrupsioni transnacional.

Nuk ka njeri në botë që të ketë përhapur korrupsionin më shumë se Xhorxh Sorosi. Merr paratë e tij të spekulimit dhe zbato porositë e tij.

Ble politikanë sikur të ishin pula në të katër anët e planetit.

Kontrollo mediat më shumë se kushdo tjetër. Xi Jinping, Vladimir Putin kontrollojnë mediat në vendet e tyre, kurse Soros kontrollor kryesor i shumicës së medieve në botë.

Në fakt, 5 nëntori ka ndarë epoka. Nuk është kuptuar sa duhet. Dhe kjo është një thirrje e thellë për shqiptarët. Njerëz të traditës, njerëz të familjes, të normave dhe virtyteve morale.

Pra, mora vetëm këtë aspekt për të mos marrë aspekte të tjera çnjerëzore të këtij regjimi.

Po një kryeministër që ulet me shishe vere 33 mijë euro në kryeministri e meriton për t’u nxjerrë me lecka.

Pra që vë shishen sa 200 pensione për t’u shijuar, në një kohë kur pensionisti që merr 160 euro, ka që marrin shumë më pak shumica, i duhet të paguajë në ndërtesën sociale 62 euro qira. Vetëm qiraja e shtëpisë 62 euro, plus faturat e tjera, plus ilaçet, nuk i ngelet për kafshatën.

Po ata që janë me 160 euro pension janë pakica e pensionistëve, shumica e tyre nuk kanë pension të plotë, kanë pension të pjesshëm.

Vetëm me shpenzimet abuzive të tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve, mund të rriteshin në vit 15-20 përqind të gjitha pensionet.

Situatë dramatike kemi ne në rrafshin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmit.

Sot ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministri i vendit, ish-kryetari i parlamentit nxirret me dhunë nga makina pa i treguar mandat arrestin, zvarritet dhe goditet publikisht sepse ashtu donte Edi Rama.

Një deputet i yni është në burg, Ervin Salianji sepse guxoi të ngrihej mafies më të rrezikshme të Europës që është mafia Rama-Xhafaj. Dhe ai rri në burg, në vend që të jenë në burg këta.

Dhe në mënyrën më cinike i ndërrojnë trupën gjykuese, ia shtyjnë gjyqin, bëjnë akte tipike të një banditi diktatorial.

Nuk është thënë kot që narkodiktaturat janë forma më e keq e diktaturës. Nuk njohin asnjë lloj kufizimi, asnjë lloj rregulli.

Deputetët socialistë që plaçkisin nuk lëvizin, vazhdojnë dhe mbrohen nga shumica. Pra ne jemi në këto kushte ku Kushtetuta është privatizuar nga organizata kriminale e qeverisë.

Ne kemi në dorë bashkimin tonë, ndaj dhe ne duhet të bashkohemi me të gjithë potencialin që kemi.

Edhe partitë e tjera janë të ftuara, të lënë problematikat me njëri-tjetrin, të bashkohen me ne, se çdo problem që kanë me njëri-tjetrin nuk krahasohen kurrë me problemet që kanë shqiptarët me Edi Ramën.

Ato janë probleme të ekzistencës së kombit shqiptar sepse këta 1 milion e 99 mijë që u larguan në hapësirën e BE për 10 vite, 4 vite do marrin edhe 1 milion të tjerë dhe Shqipëria do boshatiset plotësisht.

Ndaj, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, vlerësimin tim për ju, partitë tuaja, u ftoj të bëjmë çdo përpjekje për një front sa më të gjerë.

Të gjitha kushtet për një front ekzistojnë. Të këqijat apo të zezat që ky regjim u ka bërë shqiptarëve janë një thirrje për ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar të bashkohet kundër tij.

Të gjithë potencialet që kemi si parti, të bëjmë çdo gjë me shqiptarët jashtë vendit, janë 1.5 milionë votues.

Është e domosdoshme që të kontaktohen, nuk janë njerëz pa adresë ata. Ata të gjithë kanë një adresë.

Nuk janë njerëz që kanë shkëputur çdo lidhje me Shqipërinë. Jo, kush më shumë e kush më pak, të gjithë i kanë ruajtur lidhjet me Shqipërinë.

Është në detyrën tonë t’ua gjejmë ato lidhje, t’i kërkojmë që të regjistrohen dhe të votojnë kësaj here për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.

Ndaj dhe unë po e mbyll përsëri me thirrjen time për forcat e tjera politike, por të gjithë faktorët, të gjithë ata që mbrojnë kauza të drejta, të bashkohemi në një front të përbashkët kundër kësaj të keqe që ka pllakosur Shqipërinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu