Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen e shtetasit Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe. Fillimisht policia e cilësoi ngjarjen si një rrëzim aksidental, por pas dyshimeve të ngritura nga familjarët dhe të afërmit, çështja nuk është pushuar dhe hetimet po zhvillohen për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes”, me mundësi rishkualifikimi të mëtejshëm. Sipas burimeve pranë hetimit, personi që ngriti dyshimet për një vrasje të mundshme ishte Rifat Çokaj, i afërm i viktimës, aktualisht rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rifat Çokaj, ish-punonjës policie që ka mbajtur poste të rëndësishme më herët, vuri në lëvizje autoritetet e Malësisë së Madhe, duke kërkuar rihetim të rastit pas mospërputhjeve të konstatuara në versionin fillestar të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi më 18 shtator 2025, kur policia mori njoftimin se një person ishte rrëzuar në fshatin Kozhnje të Malësisë së Madhe. Përmes dronit, efektivët konfirmuan se trupi i pajetë i përkiste 40-vjeçarit Mirel Çokaj. Pas 24 orësh, trupi u nxor nga humnera me ndihmën e helikopterit të Forcave të Armatosura.
Familjarët e viktimës dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të maskuar si aksident, pasi sipas tyre, Çokaj ndodhej në një parcelë me kanabis rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi. Ata pretendojnë se viktima e kishte parcelën bashkë me disa persona të tjerë dhe se konflikti për ndarjen e fitimit mund të ketë çuar në shtyrjen e tij drejt humnerës.
Në parcelën ku dyshohet se punonte Çokaj, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabis sativa, duke konfirmuar se viktima kishte qenë në atë zonë pak para vdekjes. Dyshimet e familjarëve janë shtuar edhe për shkak se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur. Ata mendojnë se personi ose personat përgjegjës mund ta kenë hedhur apo fshehur atë në mënyrë që të zhdukin provat. Po ashtu, sipas të afërmve, Mirel Çokaj ishte planifikuar të kthehej dy ditë më vonë, ndërsa ditën e ngjarjes kishte ndjekur një rrugë të pazakontë drejt parcelës. Aktualisht, Prokuroria e Shkodrës ka marrë në pyetje familjarët, personat e dyshuar nga të afërmit dhe dëshmitarë që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes së Mirel Çokajt dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident, vetëvrasje apo vrasje të qëllimshme.