Në policinë e burgjeve do të nisë të funksionojë edhe një strukturë e cila do të ketë detyrë të hetojë, si vetë efektivët ashtu edhe të dënuarit që janë në qeli.
Në projektligjin e paraqitur prej qeverisë Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin Penitenciar do të kryejë veprimtari gjurmuese për parandalimin dhe informimin e aktiviteteve kriminale në vend.
Drafti parashikon një ky institucion të ketë rolin e një OPGJ-je duke marrë edhe të drejtën për të ushtruar kontrolle ndaj të burgosurve ose anëtarëve të familjes së tyre.
Madje mbledhja e të dhënave parashikohet që të bëhet edhe në fshehtësi.
Në nenin 16, parashikohet se punonjësi operacional i Agjencisë ka të drejtë të hyjë, të kontrollojë dhe të marrë dokumente, evidenca dhe informacione, në formë të shkruar ose elektronike, në të gjitha zyrat, sekretaritë, arkivatet, mjedise te strukturave ose t’i marrë ato nga çfarë do burim tjetër informacioni me qëllim zbulimin apo hetimin e veprave penale, në përputhje me legjislacionin.
Ndërkohë parashikohet me ligj se e drejta e Agjencisë për përpunimin e të dhënave personale i jepet vetëm për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale ndërkohë që punonjësit janë të detyruar të ruajnë çdo informacion të klasifikuar, pavarësisht llojit të tij.
Buxheti i parashikuar nga Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij projektligji është rreth 30 milionë lekë të reja.
Vendimi duket se vjen edhe pas nisjes së sistemit 41 bis ku të dënuarit e rrezikshëm izolohen në qeli të veçanta për tu ndaluar komunikimin me jashtë.