Qeveria e re e prezantuar nga kryeministri Edi Rama sjell një kombinim faktesh historike, emrash të rinj dhe një profil arsimor më të ndërkombëtarizuar. Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare, Ministria e Brendshme drejtohet nga një grua. Albana Koçiu, e cila deri më tani mbante postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, merr drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm duke shënuar një moment të veçantë në përfaqësimin e grave në qeveri. Një tjetër risi është prezantimi i ministres së parë digjitale, Diella, një anëtare virtuale e kabinetit që përfaqëson një hap inovativ dhe të pazakontë për administratën shqiptare.
Kabineti i ri gjithashtu shënon një tjetër hap përpara në drejtim të përfaqësimit gjinor. Për herë të parë, qeveria është e ndarë në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave, me tetë ministre femra dhe tetë meshkuj. Përveç kësaj, pesë ministra marrin për herë të parë drejtimin e një dikasteri, duke sjellë freski dhe energji të reja në kabinet. Mosha mesatare e qeverisë është 46.9 vjeç.
Në planin arsimor e profesional, qeveria Rama 4 dallon për një profil të fortë akademik dhe ndërkombëtar. Shumica e ministrave e kanë bazën e studimeve në Universitetin e Tiranës, kryesisht në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë. Megjithatë, bie në sy fakti se një pjesë e mirë kanë kryer studime ose specializime të avancuara në universitete prestigjioze jashtë vendit, si Harvard, Oxford, Cambridge, Gjermani, Itali dhe Francë.
Që nga viti 2013-të dhe deri më tani me shpalljen e emrave të qeverisë së re, numri total i ministrave në vendin tonë vlerësohet në 65 emra unikë.
Ndërkohë, numri total i emërimeve ministrore regjistrohet në mbi 100 raste, ku merret në konisderatë jo vetëm emri i ministrit, por edhe të njëjtët portofolë me ministra të ndryshëm. Nisur nga të dhënat ndër vite, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme janë më të “paqëndrueshmet”, duke ndërruar me shume emra ministrash. Nga ana tjetër, përgjatë katër mandateve numri i zëvendës kryeministrave ka ndryshuar 4 herë. / scan tv