Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar lidhur me problematikat e raportuara për procesin e votimit nga jashtë vendit, duke theksuar se marrëdhënia me operatorin e shërbimit postar, DHL, do të vlerësohet në përfundim të kontratës. Ai u shpreh se çdo pretendim është marrë në shqyrtim dhe se problematikat janë të natyrës individuale, ndërsa ka dhënë edhe statistika konkrete mbi ankesat e mbërritura në KQZ deri më tani. “Ne kemi një marrëdhënië me operatorët, si çdo kontratë që ka dy palë, do të vlerësohet në përfundim të afatit të kësaj kontrate, dhe kur procesi të përfudojë do të ulemi përballe më palën tjetër dhe do shikojëm sa e ka përmbushur shërbimin. Në varësi të kësaj do vendosim edhe për të paguar shërbimin.
Palët vlerësojnë secili pjesën tjetër, se si pala tjetër ka përmbushur shërbimin, megjithatë është shumë herët për ta bërë këtë.
Kemi ndjekur dhe marrë në konsideratë të gjitha pretendimet për problematikat, veçanërisht në Greqi, por gjej rastin të ritheksoj edhe një herë, problematikat janë individuale. Në njohim atë çka vetë individi i paraqit KQZ, duke qenë se janë regjistruar në PER mund të futen dhe të japin kritikën e tyre. Deri më tani, 156 raportime në KQZ, nga këto 90 raportime të cilat lidhen me zarfat që janë lënë në kutitë postare, 21 ankesa sipas të cilave, DHL nuk pranon të vijë dhe të marrë zarfin mbrapsht.
Janë 9 zgjedhës të cilët kanë raportuar se në dokumentacion nuk ka mbërritur fleta e votimit, 4 votues nga jashtë që nuk marrë njoftim për fletën e votimit as nëpërmjet e-mail as nëpërmjet sms-ve, dhe 29 të tjerë që kanë raportuar problematika të ndryshme. Ne kemi adresuar çdo shqetësim, kemi komunikuar me DHL për të adresuar shqetësimet”, tha Celibashi.