Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prezantuar Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, detyrë që i është besuar Ermal Onuzit.

Që në nisje, ministri falënderoi ish-Drejtorin e Gardës Gramos Sako, që për mbi 10 vite udhëhoqi procesin e transformimit dhe reformimit të Gardës, si dhe Drejtorin e Komanduar Sami Kuti, që drejtoi institucionin për disa muaj për punën e bërë.

“Vizita ime e parë në Komandën e Gardës lidhet me një moment të rëndësishëm, me prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, z. Ermal Onuzi, i cili u përzgjodh pas një procesi të hapur konkurrimi, me kandidatura të mira e profesionistë të fushës së sigurisë. I urova zotit Onuzi suksese në detyrën e rëndësishme, duke besuar fort se do të çojë para punët e nisura, për ta kthyer këtë trupë, në elitare”, u shpreh Hoxha.

Ai theksoi në takimin me drejtuesit e lartë të Gardës, se si për çdo institucion tjetër, vijimi i reformimit është i domosdoshëm.

“Kjo për ta bërë atë me eficiente në përmbushjen e misionit dhe detyrave për të garantuar sigurinë e personaliteteve të larta, të organeve të reja të drejtësisë, duke e shndërruar në një institucion modern e profesional. Shqipëria, ashtu si viti që lamë pas, do të presë në vijim forume politike të rëndësishme ndërkombëtare. Ndaj theksova se duhet angazhimi, që në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese të sigurohet mbarëvajtja e aktiviteteve”, nënvizoi ministri Hoxha.

“Konfirmova se në përmbushje të misionit tim dhe vizionit për drejtimin e Ministrisë së Brendshme, me mbështetjen e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, do të bëj gjithçka me synimin që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionistë të vërtetë, të dedikuar dhe të varur vetëm nga forca e ligjit”, u shpreh kreu i ministrisë së Brendshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu