Është prezantuar sot Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, një nga dokumentet më të rëndësishme të viteve të fundit për Arsimin e Lartë, i hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim të ngushtë me universitetet, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë.
Në prezantimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për arsimin e lartë ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama i cili tha se ky dokument ka një rëndësi shumë të madhe për faktin që është një produkt i brendshëm, nuk është një dokument që vjen nga jashtë, nuk imponohet nga qeveria, nuk është një përkthim apo një recetë e marrë nga ata që zakonisht i quajmë partnerët tanë strategjikë, por është një prodhim i brendshëm i përbashkët i të gjitha universiteteve, qofshin ato publike, qofshin ato private me financim privat dhe në bashkëpunim me MAS.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në prezantimin e Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030 bëri publike objektiva strategjik për zhvillimin e Arsimit tëLartë.
“Dokumenti që prezantojmë sot përmban dy qëllime: njëri që lidhet tërësisht me zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe i dyti që lidhet me standardet europiane të Zonës Europiane të Arsimit dhe të Zonës së Kërkimit Shkencor. Të gjitha objektivat që mbështeten në këto dy qëllime lidhen me masa konkrete, të cilat së bashku i kemi konsultuar dhe do të jenë pjesë e një plani veprimi tashmë për t’u ndërmarrë nga sot e në vitin 2030.”
Ministrja Manastirliu tha se ky plan reformash garanton më shumë fleksibilitet dhe autonomi për universitetet, duke i përshtatur ato me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet globale:
“Shtyllat e këtij dokumenti, lidhen me rishikimin e kuadrit ligjor të arsimit të lartë për të reflektuar sfidat dhe hapjen e mundësive të reja për universitetet. Vendosja e instrumenteve ligjore të reja që ofrojnë për universitetet më shumë fleksibilitet dhe më shumë autonomi për të vendosur vetë për programet e reja të studimit është një prej elementeve që kërkon instrumente të cilat mund të përshtaten dhe të adaptohen me gjithë strukturat e universiteteve tona, për të krijuar më shumë lehtësi dhe përshtatje me specialitetet dhe sigurisht edhe me kërkesat e kohës.”
Një tjetër element kyç i reformës është profilizimi i universiteteve dhe krijimi i programeve të reja të studimit, të cilat do të ndihmojnë studentët të jenë më të përgatitur për tregun e punës dhe të rrisin interesin për aplikime në degët e kërkuara.
“Profilizimi i universiteteve duhet të lidhet edhe më shumë me krijimin e programeve të reja të studimit apo të modaliteteve të reja të studimit. Kjo do të ndihmojë me përgatitjen më të mirë të studentëve në lidhje me tregun e punës dhe rritjen e interesit për aplikimet në këto degë. Ne sot në vendin tonë nuk i kemi të përfshira as në kuadrin ligjor dhe sigurisht më pas në format tona të studimit format që lidhen me drejtimet Major dhe Minor, pra kryesore dhe dytësore të studimeve. Këto janë shumë të rëndësishme për të krijuar më shumë fleksibilitet dhe për të mundësuar rritjen e punësimit në degë të cilat tashmë i kërkon tregu, por edhe me profesione të cilat e ardhmja do t’i kërkojë. P.sh. kombinimi i degëve të studimeve shoqërore me ato të IT-së apo të ekonomikut me shkencat kompjuterike, apo edhe degëve të tjera që lidhen me STEM. Sigurisht, kjo do të ndihmojë në përgatitjen më të mirë të studentëve me tregun e punës dhe do të rrisë interesin e aplikimeve.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja shtoi se procesi i akreditimit të universiteteve do të përafrohet me standardet e BE-së, ndërkohë që Shqipëria po përgatitet për anëtarësim të plotë në ENQA (European Association for Quality Assurance in Higher Education). Në këtë kuadër, një nga hapat e rëndësishëm do të jetë rritja e pavarësisë së Bordit të Akreditimit dhe ndarja e tij nga varësia institucionale aktuale.
Në vijim të reformës, një fokus i veçantë i planit strategjik do të jetë ndërkombëtarizimi i universiteteve, përmes hapjes së kampuseve të reja dhe bashkëpunimeve me universitetet më të mira europiane.
“Avancimi i procesit të ndërkombëtarizimit është një tjetër fokus i yni dhe që potencohet në këtë dokument, duke mundësuar që nëpërmjet financimit të rritet numri i programeve që financojmë për programet dyfishe dhe diplomat e përbashkëta, ku përgatitemi edhe për hapjen e kampuseve të reja në Universitetin Politeknik të Tiranës së bashku me Universitetin Teknik të Compiègne-s dhe Universitetin Teknik të Stambollit, i cili pritet të hapë degët e tij të studimit në Shqipëri.”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu.
Dhe më kryesorja në këtë dokument është mbështetja financiare për universitetet që do të bazohet në performancë, me skema të reja financimi për kërkimin shkencor dhe pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare.
“Shtylla e dytë e këtij plani është financimi i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Skema e re që propozojmë të kemi për sa i përket financimit dhe që na ka ardhur edhe si një rekomandim nga ekspertët e Bankës Botërore lidhet me mbështetjen financiare për performancën e universiteteve tona dhe këtu patjetër për kualifikimet dhe gradat shkencore të stafeve tona akademike. Mundësimi për të financuar edhe mbi baza 3-vjeçare projektet dhe planet strategjike të universiteteve tona dhe sigurisht pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare, Bashkimin Europian dhe aleancën strategjike të universiteteve do të mbështeten nga formula e re e financimit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në prezantimin e Dokumentit ë Politikave të Arsimit të Lartë 2030 i cili u hartua nga ekspertë te arsimit të larte, me ekspertizë ndërkombëtare, qësynon përafrimin e standardeve te arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.
Raporti i OECD-së për konkurrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor 2024 vlerëson progresin e Shqipërisë në 15 dimensionet e politikave ekonomike, ku vendi ka shënuar rritje të ndjeshme, veçanërisht në arsim, shkencë dhe inovacion. Shqipëria renditet mbi mesataren e rajonit për politikat arsimore dhe është në të njëjtin nivel me vendet e tjera për shkencën dhe teknologjinë.
Gjithashtu Raporti i Bordit të Akreditimit për vitin 2024 evidenton përmirësime të konsiderueshme në universitetet shqiptare gjatë periudhës 2017-2023, përfshirë modernizimin e laboratorëve, infrastrukturës, ndërkombëtarizimin, lidhjen e programeve me tregun e punës dhe mbështetjen e studentëve. Rritja e interesit për degët inxhinierike, teknologjinë e informacionit dhe shkencat mjekësore është e dukshme, me këto fusha që përbëjnë përkatësisht 27%, 14% dhe 21% të aplikimeve.
Trendi i përzgjedhjes së degëve po ndryshon, me rritje të interesit për fushat teknike dhe shërbimet, ndërsa punësimi i studentëve brenda profilit të studimeve arrin në rreth 85%.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu