Përmes një ceremonie të vecantë organizuar në mjediset e ambasadës Italiane në Tiranë, ju dorëzua titulli “Urdhri i Yllit të Italisë” në gradën e kalorësit, drejtores së gjimnazit “28 Nëntori” Albana Bushati. Ky vlerësim që jepet nga presidenti Italian Sergio Mattarella, ju dorëzua Bushatit nga ambasadori Fabrizio Bucci, i cili përgëzoi të gjithë stafin e gjimnazit 28 Nëntori në Shkodër, për punën e bërë në sesionin dygjuhësh, por edhe edukimin e formimin që ju jepet brezave të rinj.
Fabrizio Bucci, ambasador i Italisë
“Sot është kënaqësi e madhe për mua të kem këtu Albanën e cila merr këtë dekoratë kaq të rëndësishme pikërisht për angazhimin e saj sëbashku me ju në ndërtimin e së ardhmes së atyre njerëzve. Jeni ju mësuesit, është Albana e cila në një shkollë shumë të rëndësishme, ndër më të rëndësishmet ka vijuar prej vitesh dhe vazhdon ta bëjë të punojë me përgjëgjësi të madhe për të ndërtuar njerëzit e së nesërmes sepse Albana dhe mësuesit në përgjithësi janë ata që shkurtojnë distancat mes njerëzve, janë ata që rrëzojnë muret ndarëse dhe këtë bën pikërisht arsimi. Falë punës së Albanës dhe falë punës së gjithsecilit prej jush, gjimnazi që ajo drejton ’28 Nëntori’ është ndër më të rëndësishmit në vend. Për të gjitha këto Albana e meriton këtë titull nderi sepse ka arritur bashkë me ju të ndërojë ura bashkëpunimi, të formojë të rinj, nxënësit për të bërë njerëz të mirë të së ardhmes. Ne italianët dhe shqiptarët kemi diçka të përbashkët se na pëlqen të qahemi dhe themi a ka të ardhme vendi dhe unë teksa shoh sytë e buzëqeshur të të rinjve në shkolla kur i vizitoj them, po ata janë e ardhmja, ka të ardhme. Falë kësaj pune Albana merr këtë titull. Ky titull nuk është vetëm i Albanës por i të gjithë mësuesve. Albana Bushati ka qenë gjithmonë palë e privilegjuar e Ambasadës dhe zyrës së saj të shkollave duke siguruar një bashkëpunim shembullor në rolin e seksionit dy gjuhësh të Shkodrës, model përsosmërie, një nga shkollat më të njohura në Shqipëri, gjimnazit ’28 Nëntori’. Profesoresh Bushati i ka mirëpritur gjithmonë me entuziazëm nismat e propozuara nga Ambasada Italiane, nisma këto kushtuar nxënësve të seksionit dy gjuhësh dhe u ka siguruar mësuesve italian në shkollën e drejtuar prej saj kushte ideale për të kryer detyrën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme . Albana Bushati ka luajtur ndër vite rol thelbësor në promovimin e seksionit dy gjuhësh në Shkodër duke siguruar kështu një numër jo të pakët nxënësish të mirë dhe duke konsoliduar përhapjen e gjuhës italiane tek brezat e rinj në Shkodër. Profesoresh Bushati ka kontribuar gjithmonë me gatishmërinë dhe profesionalizmin e saj në zgjidhjen e problematikave që herë pas here janë paraqitur dhe falë shpirtit të saj praktik, autoritetit dhe eksperiencës të saj të gjatë është bërë një shtyllë mbështetëse për seksionin dy gjuhësh si dhe një pikë e çmuar referimi edhe për drejtorat e shkollave të seksionit dy gjuhësh në qytetet e Tiranës dhe Korçës”.
Mes emocioneve, Bushati falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e saj dhe e cilësoi këtë vlerësim si punë në grup.
Albana Bushati, drejtore e gjimnazit “28 Nentori” Shkodër
“Sot është një ditë e veçantë për mua, është një nder i madh që më jepet dekorata ‘Kalorës i Italisë’. Falenderoj nga zemra secilin prej jush për praninë në këtë ceremoni. Ky nderim është rezultat i punës në skuadër të të gjithë mësuesve të seksionit dy gjuhësh, të mbështetjes së vazhdueshme të dhënë nga Ambasada dhe zyra e saj e shkollave si dhe shpirtit të bashkëpunimit midis tre seksioneve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Puna ime në seksionin dy gjuhësh ka për qëllim arritjen dhe ruajtjen e cilësisë dhe nivelin e lartë të kulturës dhe gjuhës italiane nëkëtë seksion, për shoqërimin e nxënësve në rrugëtimin e tyre të rritjes së arsimimit duke i kthyer njohuritë dhe aftësitë e tyre në kompetenca për të vijuar me lehtësi studimet universitare, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite por mbi të gjitha Presidentin e Italisë Sergio Matarella, qeverinë italiane dhe Ambasadorin Bucci për mbështetjen e vazhdueshme veçanërisht në arritjen profesionale të mësuesve të seksionit dy gjuhësh nepërmjet veprimtarive trajnuese nga ekspertë në fushën e metodologjive të reja të mësimdhënies si dhe në përfshirjen e nxënësve në projektet që synojnë edukimin qytetar dhe zhvillimin e mendimit kritik si qytetar europian të së nesërmes. Mund të përmend sëfundmi përfshirjen e shkollës tonë në projekti e miratuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Italisë mbi kulturën e ligjshmërisë në shkolla. Falenderoj Sergio Alias, zyrën e shkollave pranë ambasadës së Italisë në Tiranë, mësuesit e Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme apo edhe bashkëpunimin ndërkombëtar që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë në seksionin dy gjuhësh, bashëpunëtoret Tatjana Vuçani dhe Suzana Aga për kontributin e tyre të çmuar në mbarëvajtjen e seksionit. Falenderoj institucionet e arsimit në Shqipëri dhe një falenderim shkon për kolegët e mi dhe nxënësit tanë të mrekullueshëm sepse rezultatet e punës së tyre e rrisin vlerën time si drejtore. Kjo dekoratë më motivon më shumë për të vijuar këtë rrugëtim dhe bashkëpunim në seksionin dy gjuhësh. Faleminderit Italisë, një vendi mik dhe të gjithëve ju”.
Ky vlerësim i presidentit të Italisë, më herët është dhënë për disa personalitete të vendit tonë, me kontribute në fushën e artit, kulturës, arsimit, sportit etj.