Në prag të mbylljes së vitit 2025, është momenti i duhur për të reflektuar me përgjegjësi, krenari dhe realizëm mbi rrugëtimin e KF Vllaznia, arritjet tona dhe vizionin për të ardhmen.

Arritjet e Vllaznisë gjatë këtij viti:

Arritja e objektivit madhor sportiv me shpalljen nënkampion i Shqipërisë, pavarësisht dhimbjes së finales – një dëshmi force, karakteri, këmbënguljeje dhe vazhdimësie deri në fund.

Përfaqësim dinjitoz në kupat e Europës, duke arritur në turin e dytë dhe duke vijuar traditën e pesë viteve të fundit, për të rikthyer dhe forcuar respektin për emrin Vllaznia në arenën ndërkombëtare.

Krijimi i Vllaznia B, një hap strategjik që do të ndihmojë në evidentimin dhe përgatitjen e elementëve cilësorë për ekipin e parë.

Fitimi për të dytin vit radhazi i Topit të Artë dhe Këpucës së Artë nga kapiteni ynë Bekim Balaj – simbol i lidershipit, përkushtimit dhe ADN-së kuqeblu.

Transferimi më i madh në historinë e klubit, ai i Kevin Dodaj, që përfaqëson një arritje sportive dhe një rritje të ndjeshme të vlerës së klubit.

Qasja sociale e klubit, përmes aktiviteteve si Tetori Rozë dhe vizitat në Shkollën Speciale “13 Dhjetori”, duke dëshmuar se Vllaznia është më shumë se një klub futbolli.

Pjesëmarrja e Presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi, në Asamblenë e Përgjithshme të ESR të zhvilluar në Romë dhe përzgjedhja e tij në grupe pune mes klubeve më të mira të Europës, përbën një arritje të rëndësishme për klubin tonë dhe një përfaqësim dinjitoz europian të Vllaznisë.

Vlerësimi i figurave sportive si Hysen Dedja, Nikolin Thana, Ferid Rragami dhe Ruzhdi Mesi tregon respektin e klubit ndaj atyre që kanë ndërtuar historinë dhe identitetin e Vllaznisë.

Nderimi dhe përkujtimi i legjendave Sabah Bizi dhe Paulin Ndoja, të cilët me keqardhje u ndanë nga jeta këtë vit, ishte një humbje e madhe për familjen kuqeblu.

Ekipi i femrave i Vllaznisë, nën drejtimin e Presidentit Lazer Matija, u shpall kampion i Shqipërisë për herë të 11-të, duke vijuar historinë e lavdishme të klubit, ndërsa përballja në Conference League ndaj Interit përbën një tjetër arritje historike për futbollin e femrave kuqeblu.

Ekipi i futsalit të Vllaznisë, nën drejtimin e Presidentit Fisnik Barbullushi, u kurorëzua kampion për herë të parë, ndërsa organizimi dhe zhvillimi në Shqipëri i fazës kualifikuese të kupave të Europës ishte një risi dhe hap i madh për këtë disiplinë sportive.

Akademia Vllaznia, fituese e turneut prestigjioz Eagle Cup dhe pjesëmarrëse në Superkupë ndaj Genoa-s, dëshmon punën serioze, përkushtimin dhe vizionin për rritjen e elementëve cilësorë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre arritjeve, ne nuk duhet të jemi të kënaqur. Pesha e historisë dhe emrit Vllaznia na detyron të synojmë gjithmonë më shumë.

Duhet të luftojmë fort për fitimin e trofeve, për pjesëmarrje më të lartë dhe më dinjitoze në kupat e Europës, për rritjen e elementëve cilësorë nga akademia dhe Vllaznia B, si dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të të gjithë parametrave të klubit – sportivë, organizativë, financiarë dhe infrastrukturorë.

Pavarësisht sfidave reale, veçanërisht mungesës së thellë të infrastrukturës sportive, klubi synon që gjatë vitit 2026, me mbështetjen e Federatës, të nisë investimin madhor për kompleksin sportiv – një hap vendimtar për të ardhmen e Vllaznisë dhe për t’u dhënë mundësi çdo fëmije dhe të riu në Shkodër e më gjerë të luajë lojën më të bukur në botë

Një përshëndetje dhe mirënjohje e veçantë shkon për tifozërinë kuqeblu, zemrën e gjallë të këtij klubi, që në çdo stadium, në çdo qytet dhe në çdo moment ka qenë gjithmonë pranë Vllaznisë, në fitore dhe në sfida.

Respekt i veçantë për grupimin Vllaznit Ultras, që këtë vit festuan 20-vjetorin e krijimit – dy dekada pasioni, sakrifice, besnikërie dhe identiteti kuqeblu. Ju jeni zëri, forca dhe fryma që e shoqëron Vllazninë kudo dhe gjithmonë.

Faleminderit futbollistëve, stafit, akademisë, ekipeve të femrave, futsalit, tifozëve dhe gjithë familjes kuqeblu për besimin dhe mbështetjen.

Ju urojmë shëndet, suksese dhe një vit sa më të mbarë 2026!

Vllaznia nuk është thjesht një klub.

Vllaznia është histori, identitet dhe e ardhme.

Me respekt,

Alban Xhaferi

President i KF Vllaznia

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu