Myftinia Shkodër, 9 gusht 2025

Presidenti i Republikës, ShTZ. Bajram Begaj, vizitoi Xhaminë e Plumbit

Paraditën e së shtunës, më 9 gusht 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt në Xhaminë e Plumbit, ShTZ. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shkodër, Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës, Myftiu i Shkodrës, shprehu kënaqësinë e tij me rastin e kësaj vizite bujare që Presidenti Begaj, pati mirësinë të zhvillojë sot në xhaminë e Plumbit.

Vizita e Presidentit të Republikës në xhaminë e restauruar të Plumbit, u shoqërua me një bashkëbisedim të përzemërt, që u zbukuruar edhe me detajet e shumta të xhamisë historike.

Bashkëbisedimi i ngrohtë, vijoi edhe gjatë vizitës në ambientet e brendshme dhe të jashtme të kompleksit islam të Xhamisë së Plumbit, që u vlerësua edhe nga Presidenti Begaj, për detajet e arkitekturës dhe ngrohtësinë që dhuron për frekuentuesit dhe vizitorët e saj.

Në takim, ku ishte e pranishme dhe Prefektja e Shkodrës, znj. Majlinda Angoni, drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, imamë dhe pjesëtarë të stafit të Myftinisë Shkodër, u vu theksi edhe tek roli i madh i komuniteteve fetare të Shkodrës për rimëkëmbjen e vendit, sidomos me zhvillimet historike të nëntorit 1990.

Në këtë kontekst, Myftiu Sytari e informoi Presidentin Begaj me aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të vitit jubilar të 35-të të rihapjes së kishave dhe xhamive në Shkodër e në mbarë Shqipërinë, duke kërkuar nga Shkëlqesia e Tij, që tre komunitetet fetare të Shkodrës, të nderohen në këtë atmosferë të begatë, për kontributin e madh që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave të harmonisë, pajtimit, bashkëjetesës dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë.

Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i Shkodrës i dhuroi Presidentit të Republikës, kolanën e veprës së plotë të dijetarit dhe Hoxhës së shquar shkodran, Imam Vehbi Ismaili (1919 – 2008).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu