Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prizren ku mori pjesë në kremtimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar rëndësinë historike dhe frymën e bashkimit kombëtar që kjo ngjarje përfaqëson. Në fillim të vizitës, Presidenti Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Më pas, së bashku me përfaqësues të komunës dhe qytetarë të Prizrenit, ai përshkoi në këmbë rrugën nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku vendosi një kurorë në nderim të kësaj date të shënuar. Në këtë aktivitet, Presidenti u shoqërua edhe nga një grup nxënësish nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, si pjesë e iniciativës së tij për të njohur nga afër historinë dhe vendet historike shqiptare, duke vizituar objekte kulturore në të gjitha trojet etnike. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar, duke theksuar se ajo përfaqëson ditën kur filloi lëvizja për pavarësi.
FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH. T. Z. BAJRAM BEGAJ, ME RASTIN E PËRKUJTIMIT TË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
Është nder, krenari dhe privilegj të jem sot me ju në Prizrenin e bukur, të bukurisë natyrore dhe shpirtërore, në Prizrenin e traditës dhe patriotizmit, në zemrën e kombit shqiptar. Në këtë vend me simbolikë të thellë kujtojmë së bashku një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
10 qershori 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik e shpirtëror i bashkimit kombëtar, është dita kur filloi lëvizja për pavarësinë kombëtare.
Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, për mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve kudo ata janë dhe jetojnë. Ajo lindi si nevojë jetike për të mbrojtur trojet tona, identitetin dhe të drejtën tonë për ekzistencë dhe dinjitet.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim, mbrojtje dhe vetëdije kombëtare.
10 qershori 1878 nuk ishte thjesht një mbledhje e prijësve shqiptarë, ishte shprehje e krenarisë, e përkatësisë dhe vetëdijes evropiane të një populli me histori të lashtë, kulturë unike dhe me vullnet politik për të vendosur vetë mbi fatet e tij.
Ne sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të kujtuar një datë në histori, por edhe për të nderuar një ëndërr, një zgjim, një zë të fuqishëm që doli nga zemra e kombit tonë.
Ky përkujtim i sotëm është një akt kujtese, akt reflektimi dhe frymëzimi për të gjithë ne. Ai është, gjithashtu, edhe një akt edukimi kombëtar.
Lidhja e Prizrenit shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.
Në atë kohë, kur fuqitë ballkanike po përgatiteshin të ndanin territoret shqiptare, burrat e dheut, nga të gjitha anët e Shqipërisë etnike, u mblodhën në Prizren për të ngritur zërin e kombit tonë. Ata nuk kishin fuqi të mëdha pas vetes, por kishin guximin, kishin vullnetin dhe besimin për të mbrojtur të drejtën e tyre për ekzistencë, gjuhë dhe territor, kishin dashuri për këtë vend, kishin dashuri për Shqipërinë, kishin dashuri për shqiptarinë.
Lidhja e Prizrenit u rrit me shpresë, guxim dhe bashkim.
Historia është frymëmarrja jonë, është gjaku që na rrjedh në deje. Lidhja e Prizrenit është pjesë e trupit tonë, e kësaj zemre që rreh në çdo shqiptar të ndershëm, pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Identiteti ynë kombëtar nuk është vetëm një fjalë, nuk është vetëm një kujtim, por është një amanet.
Le ta kujtojmë këtë ditë jo vetëm me fjalë, por me veprime, me më shumë dashuri për identitetin e kombit tonë, për gjuhën tonë, për historinë tonë.
Sot, detyra jonë është ta çojmë më tej këtë amanet, sepse ne nuk harrojmë historinë. Duke mos harruar historinë, ne mbrojmë të ardhmen tonë.
Përmes kujtimit të këtyre ngjarjeve, ne u japim brezave shembuj dhe vlera. U mësojmë se liria nuk është e dhënë, por e fituar, se atdheu nuk është vendi ku vetëm jetojmë, por pjesë e natyrshme e identitetit tonë, se historia jonë nuk është përrallë nga e kaluara, por trashëgimi solemne që na detyron. Kjo është arsyeja pse unë sot jam i shoqëruar nga një grup nxënësish nga Shqipëria, nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Ata përfaqësojnë lidhjen organike me të ardhmen.
Sot, në një realitet krejt të ndryshëm nga ai i vitit 1878, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një kombi. Ato ecin përpara, krah për krah në rrugën e integrimit evropian.
Të jemi pjesë e Evropës së bashkuar është vazhdim i natyrshëm i aspiratës që shqiptarët shprehën me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk duhet kujtuar si një ngjarje e shkuar, por si busull frymëzuese.
Ajo na mëson se kur jemi të bashkuar, kur kemi vizion dhe vullnet, asgjë nuk është e pamundur.
Ajo na kujton se atdhedashuria është vepër, jo fjalë, se atdhedashuria është të nderojmë sakrificat e djeshme me përgjegjësi të madhe për sot e me vizion për nesër!
Lavdi përjetë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
Lavdi të gjithë atyre që dhanë gjithçka për identitetin dhe lirinë tonë!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kosova!
Rroftë kombi shqiptar!
Ju faleminderit!