I pranishëm sot në protestën e zhvilluar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani ka qenë edhe babai i djalit të vrarë.
Ai është duke marrë pjesë në protestë, teksa nuk ka preferuar që të flasë për mediet, por vetëm është mjaftuar duke qëndruar në shesh
Prindër, të rinj, shoqëria civile u mblodhën sot në protestën e dytë duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij.
Protestuesit janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në kangjellat e saj kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”.
Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.
Ndërkohë, në protestë ndodhej edhe gjyshi i moshuar i Martinit, i cili i është drejtuar të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku ka kërkuar që të vendoset drejtësia në vend.
“Dashamirës që keni ardhur për hir të një martiri që ra pabesisht, unë jam gjyshi i Martinit. Për ne ka qenë një humbje shumë e madhe, që me zor po e përballojmë. Unë kërkoj me këmbëngulje, që të vendoset në këtë shtet drejtësia. Do të triumfojë drejtësia, sepse mos kujtoni ju që unë anoj nga asnjë parti, vetëm dua drejtësi dhe drejtësinë do e mbështesë i gjithë populli”, u shpreh ai.
Më tej gjyshi i 14-vjeçarit shtoi se familja Cani ka përjetuar një dhimbje të papërshkrueshme dhe bëri thirrje që të ndërhyjë e gjithë shoqëria dhe autoritetet për të shmangur ngjarje të tilla të rënda me protagonistë adoleshentët, në vijim.
“Unë me thënë të vërtetën se e mbaj vetën një çik si burrë i fortë, por për fëmijën nuk paska gjë më të rëndë. Që një djalë 14 vjeçar iu prenë ëndrrat mu në lule të rinisë. Martini për ata që e njohin ka qenë shembullor në shkollë, shembullor në shoqëri, shembullor që merrej me sport. Prandaj, gjithë Shqipëria, se ne u dogjëm, por mos të digjen më të tjerë. Vetëm drejtësi. Vetëm drejtësi. Nuk dua askush të përfitojë nga rasti që të na shfrytëzojë. Nuk do të zgjidhet ky problem që Martini të shkojë në vendin e duhur, unë do e ndjek këtë problem. Sikur ra Martini, do të bie edhe unë, se s’ka ç’më duhet më jeta. Nuk dua kurrën e kurrës t’i bëj keq kujt, por të vihet drejtësia në vend”, tha gjyshi i Martin Canit në protestë.