Banorët e lagjes “Mali i Rrëzuar” në fshatin Mnelë të Bashkisë Vau i Dejës kanë dalë në protestë.
Mes kërkesave të tyre ata kanë renditur edhe ndërtimin e digës për tu mbrojtur nga lumi Gjadër, i cili është kthyer në rrezik për banorët e zonës.
“-Lumi Gjadër rrezikon mbi 80 familje. Prodhimet bujqësore po na shkojnë dëm. Kemi bërë peticion në bashki, na kanë thënë se i takon për ndërhyrje AKMC Tiranë. Është pranuar se lumi Gjadër sjell rrezik për zonën. Që në vitin 2003, shtrati i lumit Gjadër është ngritur 2 metër”.
“-Lumi pavarësisht se deri më tani, fatmirësisht nuk ka marrë asnjë jetë prej nesh, ka shkatërruar çdo gjë për të cilën kanë punuar të parët tanë por edhe ne. Në vitin 1954 u bë një digë që e mbojti fshatin deri në vitin 2000. Më pas në 2003 diga u thye. Që prej asaj dite nuk kemi pasur asnjë lloj ndihme apo mbrojtje. Nuk ka mbajtur njeri përgjegjësi as për të mbjella, as për të korra dhe as për blegtori”-u shprehën disa prej banorëve.