Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia e fundit”, sekuestrohen sasi kanabisi, fara kanabisi, 1 armë zjarri, 1 armë gjahu (çifte) dhe municion luftarak.
Vihen në pranga 4 shtetas që shpërndanin doza kanabisi, në qytetin e Shkodrës.
Në banesën e njërit prej të arrestuarve, Policia gjeti një pjesë të kanabisit, armët dhe municionin luftarak.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave që ushtrojnë veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Porosia e fundit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Brendon B., 22 vjeç, Franc M., 21 vjeç, Ehad H., 21 vjeç dhe Kristjan V., 22 vjeç, banues në lagje të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Gjatë operacionit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas dhe si rezultat i kontrollit gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. H., shërbimet e Policisë gjetën një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu me 2 fishekë në fole, një sasi municioni luftarak dhe 1 shkop bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 5 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Shkodrës. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të metejshme.