Protesta e thirrur nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit, e cila prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës do të shtojë patrullimet në të gjitha akset hyrëse për në kryeqytetin shqiptar.
Mbi 1 mijë efektivë të të gjitha strukturave të policisë do të jenë në terren, shumica e të cilëve do të përqëndrohet rreth e rrotull godinës qeveritare për të ndaluar çdo tentativë për dhunim të institucioneve shtetërore.
Po ashtu trafiku do të bllokohet në të gjitha akset rrugore që lidhen me qendrën dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërkaq mësohet se protesta do të ketë si moto situatën e varfërisë me rritjen e çmimeve, por edhe të denoncimeve të aferave korruptive të qeverisë.
Burime nga dy selitë mësohet se në podiumin para kryeministrisë do të ngjiten rreth 20 folës, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët do të sjellin në vëmendje problematikat e vendit jo vetëm në tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
Madje në foltoren poshtë zyrës së kryeministrit nuk do të mungojnë as të rinjtë, të cilët pritet të denoncojnë sipas tyre braktisjen dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria, çka sipas tyre ka sjellë dhe braktisjen masive të vendit.
Tashmë nuk ka mëdyshje se Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë do të jenë sëbashku në këtë aksion politik, ashtu sikurse edhe aleatët e tjerë të koalicionit opozitar.
Para protestuesve mësohet se do të mbajë qëndrimin e tij edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, e po ashtu në podium do të ngjitet edhe Sali Berisha.
Megjithatë organizatorët kanë theksuar se protesta do ti japë më shumë hapësirë shoqërisë civile për të përcjellë mesazhe të qarta edhe pse si Meta dhe Berisha do të kenë zërin e tyre politik.
Organizatorët kanë përgatitur koreografi të posaçme si me banderola dhe me mesazhet konkrete të shkruara në to.
Ndërsa pjesëmarrja pritet të jetë si nga protestues nga Tirana ashtu edhe nga rrethet.