Me kartolina dhe foto familjare, krerët më të lartë të shtetit e politikës kanë përcjellë mesazhe urimi për besimtarët e krishterë. Presidenti Bajram Begaj  vizitoi sot në mëngjes Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, për të përcjellë urimet me Arqipeshkvin Arjan Doda.

 “Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh. Krishtlindja na kujton se asnjë vështirësi nuk mund ta shuajë dritën që lind brenda nesh kur veprojmë me dashuri dhe besim”, tha Presidenti Begaj. Në këtë ditë të shënuar, Kryeministri Edi Rama zgjodhi një kartolinë ndryshe urimi.

“Me këtë ikonë të saporestauruar, që na vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII, ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen!”, shkruan Rama.

Për kryeparlamnetaren Elisa Spiropali, dashuria është forca më e madhe njerëzore.

 “Krishti, Princi i Paqes dhe i Dashurisë, me shembullin e Tij na tregon se as sundimi, as fuqia, as pushteti, as pasuria, por dashuria është forca më e madhe njerëzore, e cila nuk shteron kurrë, i jep vlerë jetës sonë dhe është e vetmja rrugë drejt së mirës, së drejtës, së vërtetës, besimit dhe shpresës. Gëzuar Krishtlindjen, të gjithë besimtarëve, të gjithë shqiptarëve!”, deklaroi Spiropali.

“Bekimet e kësaj nate, për ju dhe më të dashurit tuaj miq!”, shkruan kryetari i PD-së, Sali Berisha duke ruajtur traditën e urimit nëpërmjet një fotoje familjare me bashkëshorten.

Urimet nuk kanë munguar as nga ndërkombëtarët.  Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada e SHBA, kanë uruar besimtarët për të pasur festa sa më të gëzuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu