Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 114-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare që i përket mbarë njerëzimit.
“26 gushti, Ditëlindja e Shën Terezës, është një datë madhështore për shqiptarët dhe botën”, shprehet Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, me një mesazh në ditën e lindjes së Nënë Terezës.
Spiropali shkruan se Shën Tereza është shqiptarja më e ndritur, e cila, me përdëllimin e saj karshi mjerimit, urrejtjes, individualizmit dhe indiferencës, krijoi një qiellnajë shpirtërore të dashurisë, solidaritetit dhe përkushtimit.
“Nga porositë e panumërta dhe të paçmuara që Nënë Tereza, kjo luftëtare e urtë e paqes pa mjete dhune, i la njerëzimit, sot, në këtë botë të trazuar, të rrezikuar nga retë e luftës, kam zgjedhur mësimin e madhërishëm: Nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, kemi nevojë për dashuri, mëshirë, dhembshuri”, e mbyll mesazhin e saj Kryeparlamentarja.
Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht me emrin në Nënë Tereza, lindi në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910, nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.
Në vitin 1979, do t’i akordohej Çmimi Nobel i Paqes për punën e palodhshme të saj në favor të të varfërve dhe personave që vuanin, duke i dhënë një autoritet botëror.
Sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.
Ajo vetë do të deklaronte: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmëshekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.
Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, të cilin e formoi në vitin 1950. Në 5 shtator të vitit 2016, në përvjetorin e saj të vdekjes, u shpall Shenjtore nga Papa Françesku.