Politika njezeri ka shprehur ngushellimet per ndarjen nga jeta te mjeshtrit te madh te humorit Zef Deda. Nje dite zie kjo per artin shqiptar!
Bajram Begaj
Sot u shua ikona e humorit, Mjeshtri i Madh, Zef Deda!
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran.
Lamtumirë njeriut që solli gëzim në shtëpitë e shqiptarëve edhe në momentet e vështira!
Elva Margariti, ministre e kultures
Shqipërisë sot iu shua një buzëqeshje, një dritë që na ndriçonte në kohë të errëta!
U prehsh në paqe Zef Deda!
Agron Cela, deputet i Shkodres
Lamtumira Zef Deda, mjeshtri i madh i humorit shqiptar!
Për të gjithë ne, kjo e sotmja ishte një ditë e trishtë, që na ndan vetëm fizikisht me aktorin e madh Zef Deda. Ai do të vijojë të jetojë mes nesh përmes batutave dhe numrave të pafundme humoristike, që na dhuroi përgjatë karrierës së gjatë artistike. Ka ditur të jetë një dritë që ndriçoi edhe në kohë të errëta e na bëri të buzeqeshnim, atëherë kur kishim më shumë nevojë. Pushofsh në paqe mjështër!
Benet Beci, Kryetar i Bashkise Shkoder
Shkodra dhe gjithë publiku shqiptar humbi sot Zef Dedën! Artisti i madh do të mbetet në piedestalin e humorit e ne jemi kaq me fat që e patëm!
Faleminderit për çdo buzëqeshje! Lamtumirë mjeshtër!
Sali Berisha, ish kryeminister
Sot është një ditë zie për artin, skenën, Shkodrën dhe artdashësit e mbarë Shqipërisë, mbasi dielli perëndoi përgjithmonë për artistin e mirënjohur, e talentuar, Zef Dedën. Zef Deda ishte një artist që të gjithë dhuntinë e tij, ia kushtoi në çdo kohë të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërisë. Ai ndahet nga jeta para kohe, pra, duke pasur mundësi për të kapur maja të tjera në skenë dhe art. Por, mbetet i pavdekshëm me trashëgiminë e tij të shkëlqyer që lë. Ndaj dhe unë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, komunitetit artistik dhe qytetarëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë për këtë humbje të madhe.
Ilir Meta, kryetar i PL
Një humbje e madhe për humorin dhe artin shqiptar ndarja nga jeta e aktorit shumë të dashur për publikun, Zef Deda. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjes Deda.
Kujtimi i Zef Dedës do të mbetet i përjetshëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve.
Lulzim Basha, kryetar i PD
Lamtumirë Zef Deda,
Mjeshtri i madh i humorit, që me talentin gjenial u dhuroi buzëqeshje shqiptarëve në kohë të mira e në kohë të vështira, si ato të diktaturës. Një humbje e madhe për artin shqiptar, për artëdashësit e në veçanti për Shkodrën, shpirtin e të cilës Zef Deda e mishëronte me një stil që do të mbetet i pavdekshëm. Ngushëllime të sinqerta familjes Deda, kolegëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë të Zefit.
U prehtë në paqe!