Perfaqesuesit politik dhe ato te botes se sportit kane shprehur mesazhet e tyre te ngushellimit per ndarjen nga jeta te legjendes se futbollit shqiptar, Sabah Bizi.

Agron Çela:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Sabah Bizi. Ai ishte një figurë e paçmuar për sportin shqiptar, një ikonë që frymëzoi dhe ndikoi në shumë breza. Me talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij, Sabah Bizi do të kujtohet gjithmonë si një ndër emrat më të mëdhenj të futbollit të shqiptarëve.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe e donin. Sabah Bizi do të jetojë përgjithmonë në kujtimet tona si një njeri që dha gjithçka për futbollin dhe Vllazninë e tij të zemrës.

Edmond Ndou:

Një lajm i trishtë për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë, ai i ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, “Nderit të Kombit” Sabah Bizi. Një emër që do të mbetet gjithmonë i paharruar në historinë e sportit shqiptar. Ai ishte një figurë e shquar, jo vetëm për aftësitë e tij në fushë, por edhe për karakterin dhe pasionin që shprehte për futbollin dhe veçanërisht për skuarën e zemrës, Vllazninë! Bizi mbetet një nga yjet e sportit shqiptar që do të shërbejë si frymëzim për brezat. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë botës së sportit. U prehsh në paqe, legjendë!

Armando Duka:

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.

Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Pusho në paqe legjendë!

Benet Beci:

Lamtumirë, Mjeshtër!

Lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Sabah Bizi,  është një ditë e trishtë jo vetëm për botën e sportit, por për të gjithë Shkodrën.

Një emër që i dhuroi Shkodrës shumë trofe dhe lavdi. Emocionet që solli për tifozët e zjarrtë të Vllaznisë do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

 

Bardh Spahia:

Shkodra dhe Shqipëria humbi një yll të sportit shqiptar, mjeshtrin Sabah Bizi. Ai ishte një ikonë e sportit tonë kombëtar, një emër që na dhuroi krenari me talentin dhe përkushtimin e tij në fushë. Trashëgimia e tij në futboll do të mbetet frymëzim për brezat e rinj dhe një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet me punë, disiplinë dhe dashuri për vendin. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Bizi, Nefizes, Brikenos, Brinesës, miqve dhe komunitetit sportiv shqiptar. Pushofsh në paqe legjenda Bizi!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu