Një ditë pas aksionit të policisë së shtetit i koduar “lundrim i sigurtë” ku u sekuestruan 13 varka artizanale, 5 skafe dhe 1 traget, pronarët e këtyre mjeteve zhvilluan një protestë. Tashmë që puna është bllokuar plotësisht dhe lëvizja e udhëtarëve për të vizituar lumin e Shalës është thuajse e paralizuar tërësisht, këto te fundit i kërkuan ndihmë për zgjidhje të situatës, bashkisë Vau Dejës.
Të izoluar dhe pa formë tjetër komunikimi, këro banorë shprehen se janë dakort të paguajnë cdo detyrim dhe të kolaudojnë mjetet, por kundërshtojnë aksionin e kryer në mes të sezonit.
Edhe pse nuk është kompetencë e drejtëpërdrejtë e tij, kryebashkiaku i ri i Vau Dejësit ju doli në krah banorëve dhe i informoi se ka njoftuar të gjitha institucionet përkatëse për gjetjen e një zgjidhje.
Ky është aksioni i dytë në harkun kohor të dy javëve, ku edhe në nderhyrjen e parë policia
bllokoi 1 traget dhe 10 varka artizanale. Drejtuesi i tragetit u procedua penalisht, ndërkaq drejtuesit e varkave u ndëshkuan me masë administrative 10 000 të rinj, secili. Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare kanë apeluar për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit me varka artizanale dhe me mjete të tjera lundruese, që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve. Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.






