Shkodër/Ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandalon ngjarje të mundshme kriminale.
Qëlluan në ajër, me armë zjarri dhe me armë gjahu, në fshatin Trush, për të kanosur fqinjin e tyre, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 56-vjeçari dhe djali i tij. Shpallet në kërkim djali tjetër i 56-vjeçarit.
Sekuestrohen 2 armë gjahu çifte, që i kishin me leje. Punohet për gjetjen e armës së zjarrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Trush, disa shtetas kishin kanosur me armë, fqinjin e tyre, kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Çeke Malocaj, 56 vjeç, dhe Daniel Malocaj, 22 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Trush. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. Malocaj., 27 vjeç, banues në fshatin Trush.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi Çeke Malocaj dhe dy djemtë e tij, kanë qëlluar me armë zjarri dhe me armë gjahu çifte, në ajër, afër banesës, për të kanosur fqinjin e tij, shtetasin P. N., për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.