Ballina Aktualitet Policia nuk i ndahet liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës (Detajet...

Policia nuk i ndahet liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës (Detajet e ditës së dytë të operacionit)

📌Liqeni i Komanit dhe 📌Lumi i Shalës/Vijon në ditën e dytë të tij, operacioni policor i koduar “Lundrim i sigurtë”, që po zhvillohet nga Policia Kufitare e Shkodrës, DVP Shkodër, FNSH Shkodër dhe Delta Forcë, në bashkëpunim të ngushtë më Drejtorinë e Përgjithshme Detare.

Operacioni “Lundrim i sigurtë”, për kontrollin dhe verifikimin e plotë të dokumenteve dhe të përmbushjes së kritereve të sigurisë (pajisjen e pasagjerëve me jelekë shpëtimi), të mjeteve lundruese në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, si dhe për marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre mjeteve, që kapen në paligjshmëri.

✅Ky operacion është i treti që po zhvillohet përgjatë këtij viti, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, pas 2 operacioneve sensibilizuese dhe informuese, të zhvilluara në muajin shkurt dhe në muajin maj, ndaj subjekteve ekonomike që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në të gjitha hapësirat ujore të vendit.

✅Qëllimi i vetëm i këtij operacioni është  siguria e jetës së turistëve dhe vizitorëve, dhe jo penalizimi i operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë.

✅Gjatë ditës së parë të këtij operacioni, u konstatuan 46 mjete lundruese (traget, skafë dhe varka artizanale) në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, që ishin në cenim të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë (nuk kishin pajisur pasagjerët me jelekë shpëtimi) për transport ditor, për qëllime turistike, të vizitorëve në këto vende.

✅Gjatë ditës së dytë të këtij operacioni, po vijon puna për identifikimin e pronarëve/poseduesve të varkave artizanale të bregëzuara gjatë ditës së djeshme, në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit. Gjithashtu, paralelisht po vijon sekuestrimi i motorëve të varkave artizanale që nuk përmbushin parametrat e sigurisë dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës.

Theksojmë se operacioni “Lundrim i sigurtë” vijon në të gjitha hapësirat ujore (dete, liqene dhe lumenj) të vendit, me qëllimin e vetëm garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve, turistëve dhe pushuesve, si dhe garantimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit.

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare apelojnë sërish, për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat liqenore , lumore dhe detare që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks