Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtuesve të programeve dhe projekteve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Oficerëve Policorë Ndërlidhës të atashuar në vendin tonë.
Takimi, me qëllim informimin mbi riorganizimin e brendshëm të Policisë së Shtetit, në mbështetje të ligjit nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe në përputhje me detyrimin ligjor për përshtatjen e strukturave të Policisë së Shtetit, për të luftuar me efikasitet format e reja, të avancuara dhe dinamike të kriminalitetit.
Në fjalën e rastit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, falënderoi të pranishmit dhe ndër të tjera theksoi:
“Ky është një moment domethënës, si dhe një vendimmarrje e rëndësishme në rrugën e modernizimit, forcimit institucional dhe rritjes së efikasitetit të Policisë së Shtetit në shërbim të qytetarëve dhe në luftë ndaj krimit.
Reformat që po ndërmarrim nuk janë vetëm ndryshime strukturore, por një transformim i mënyrës së funksionimit të Policisë së Shtetit, me synim të qartë, forcimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e reagimit ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe garantimin e një policie më të afërt, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarit.
Unë e çmoj shumë këtë mundësi për ta prezantuar dhe diskutuar këtë proces me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e hapur për bashkëpunim pa barriera, për shkëmbim idesh, eksperiencash dhe kontributesh të përbashkëta.
Besoj fort se suksesi në përballimin e sfidave të sigurisë nuk është individual, por kolektiv. Ai ndërtohet mbi besim, koordinim dhe partneritetin e qëndrueshëm.
Në këtë frymë, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin konkret që keni dhënë në procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit.”
Struktura u prezantua nga Drejtoresha e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore Drejtues Anisa Duçkollari, e cila bëri prezente ndryshimet propozuara nga çdo strukturë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati informoi partnerët mbi arsyet e ndryshimeve në këtë departament, me qëllim transformimin në një strukturë sa më efikase në luftë ndaj krimit të organizuar dhe krimeve globale.
Përfaqësuesit e misioneve dhe oficerët e kontaktit u shprehën të kënaqur për takimin, si dhe për vënien në dispozicion të materialit shpjegues për ndryshimet në strukturë. Gjithashtu, ata shprehën gatishmërine ë tyre, për të marrë pjesë aktivisht, nëpërmjet mendimeve dhe sugjerimeve, në procesin e modernizimit të mëtejshëm të strukturave të Policisë së Shtetit.






