Policia e Shtetit, gjatë muajit nëntor 2025
Bashkëpunim i ngushtë me qytetarët për të garantuar rendin dhe sigurinë, punë operative dhe hetimore në funksion të goditjes së veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme, bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim, për hetime dhe operacione të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar.
Gjatë muajit nëntor:
✅ U finalizuan 115 operacione policore, 13 prej të cilave me objektiv lokalizimin, kapjen dhe/ose ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht (kryesisht për pjesëmarrje në grupe/organizata kriminale ndërkombëtare).
✅ Në total, për veprimtari të ndryshme kriminale, u vunë në pranga 602 shtetas.
✅ U sekuestruan 5.6 kg lëndë shpërthyese, sasi lëndësh plasëse të gatshme për shpërthim, 29 granata, qindra kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës;
— 41 armë zjarri, pjesë armësh dhe rreth 7000 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm;
— rreth 7 kilogramë lëndë narkotike kokainë, rreth 85 kilogramë lëndë narkotike kanabis (38 kg në trajta çokollate dhe vaji), 1516 bimë narkotike kanabis dhe 300 fara të kësaj lënde;
— 12 milionë euro pasuri dhe rreth 120 000 euro cash, me burime kriminale; 118 900 euro të vjedhura në bankë; 11 pako me kartëmonedha të falsifikuara dhe rreth 300 celularë;
— pajisje për bllokim të valëve, jelek antiplumb, uniforma/pajisje si të Policisë, 2 targa të huaja të falsifikuara, 10 mjete të trafikuara, dokumente të falsifikuara dhe karta SIM të paregjistruara.
✅ Shërbimet e Repartit Elitë “RENEA”, Drejtorisë së Antiterrorit, Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Policisë lokale të Pukës, finalizuan me profesionalizëm operacionin me rrezikshmëri të lartë, të koduar “Oroshi”. 2 shtetas që, me një arsenal armësh zjarri dhe shpërthyese, u vetizoluan në një banesë dhe me armë zjarri kanosën për jetën punonjësit e Policisë, pas 12 orësh në rrethim u vunë në pranga!
✅ Policia e Vlorës zbardhi dhe dokumentoi vrasjen e 36-vjeçarit në Gjorm, ku pas 5 orësh kërkimesh intensive me dron, në terren të vështirë dhe me rrezik për jetën e punonjësve të Policisë, lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin 32-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më herët me 35 vite burg për “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjatë veprimeve u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë dhe prova të tjera materiale.
✅ 53 pjesëtarë grupesh kriminale në fushën e narkotikëve, në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër, u arrestuan gjatë megaoperacioneve “Labirinti”, “Cleaning 3” dhe “Andromeda”.
✅ Policitë e Tiranës dhe Tropojës goditën 2 raste të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike dhe lëndëve plasëse drejt Kosovës, si dhe 4 raste të trafikimit të automjeteve luksoze nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria.
✅ Si rezultat i kontrollit të territorit dhe sigurimit të informacionit falë bashkëpunimit me qytetarët, u zbuluan 8 ambiente të mbyllura (7 në Shkodër, 1 në Tiranë), të pajisura me 992 pajisje për kultivimin/tharje të bimëve narkotike me anë të llambave;
— 5 ambiente (banesa me qira) ku ushtrohej prostitucion dhe 9 lokale të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
✅ Seksionet e posaçme në drejtoritë vendore të Policisë, për hetimin e krimeve ekonomiko-financiare, goditën 42 raste në këto fusha, të cilat përfshinë: mashtrime nëpërmjet call center-ave, mashtrime me produkte ose për sigurim dokumentesh, si dhe ndërtime të paligjshme, kontrabandë mallrash, përdorim të dokumenteve false dhe ushtrim informal të aktiviteteve ekonomike.
✅ Strukturat e specializuara për hetimin e krimeve kibernetike goditën 12 raste në këtë fushë, të cilat përfshinë: pornografi me të mitur, mashtrime në llogari financiare/kriptofinanciare, vjedhje llogarish në rrjete sociale, si dhe keqpërdorim të këtyre llogarive.
✅ U zbardhën 8 ngjarje kriminale që përfshinë: tentativë për vrasje, plagosje me armë zjarri/mjet prerës dhe shkatërrim të pasurisë me lëndë plasëse dhe me zjarr.
✅ U finalizuan 17 operacione policore kundër vjedhjeve në banesa/subjekte.
✅ U finalizuan 5 operacione policore për goditjen e rasteve të transportimit kundrejt fitimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht në shtetet e BE-së.
✅ U parandaluan/goditën 4 raste të gjuetisë në kundërshtim me kufizimet e moratoriumit aktualisht në fuqi për këtë aktivitet.
✅ Nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqe, u zhvillua operacioni “Hapësira publike”, që rezultoi me goditjen e 164 rasteve të shfrytëzimit të hapësirave publike/private për aktivitete ekonomike informale, si dhe me procedimin e 98 drejtuesve të automjeteve për parkime të gabuara që u bënë shkak për bllokim të lëvizjes së automjeteve, atyre të urgjencës por edhe të këmbësorëve në zona të ndryshme të vendit;
Strukturat e Policisë garantuan rendin e sigurinë para, gjatë dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor të zhvilluar në 5 bashki dhe të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Angli”, të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”;
Për shkak të motit të keq, shërbimet e Policisë kaluan në gatishmëri në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve, për orientimin dhe në disa raste edhe për evakuimin e tyre.
✅ Shërbimet e Policisë Rrugore, krahas shërbimit të përforcuar gjatë ditëve me mot të keq dhe të pajisura me mjete bashkëkohore, vijuan kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore.
Gjatë muajit nëntor u vunë në pranga 220 drejtues mjetesh, nga të cilët 166 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 54 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
— u pezulluan 316 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
— u vunë 113 811 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor dhe 1659 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e masës administrative maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
✅ Në pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe analizave të riskut, shërbimet e Policisë Kufitare evidentuan dhe goditën:
— 47 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 11 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false, 5 raste të mosdeklarimit të shumave të parave, 10 raste të kontrabandës së mallrave, 5 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në qendër dhe në qarqe, do të vijojnë kontrollet dhe hetimet intensive, me objektiva zbardhjen e ngjarjeve kriminale, si dhe goditjen e krimit në tërësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për finalizimin e operacioneve policore me shtrirje dhe me impakt të gjerë.
Në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave, ftojmë qytetarët që të denoncojnë menjëherë, në njësitë fizike të Policisë ose në numrin 112, çdo paligjshmëri që hasin.






