Policia e Shtetit, gjatë muajit korrik 2025.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar me përkushtim, profesionalizëm dhe angazhimin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.
Gjithashtu, në pikun e sezonit turistik, është treguar vigjilencë dhe kujdes i shtuar, 24/7, për garantimin e sigurisë në plazhe dhe në hapësirat ujore, për ofrimin e ndihmës ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.
Fokusim dhe përkushtim edhe për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve dhe menaxhimin e situatave me zjarret duke shpëtuar jetë nga rreziku i përfshirjes nga flakët, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që ndërtojnë pa leje apo zënë hapësirat publike.
Konkretisht, gjatë muajit Korrik:
Janë finalizuar 103 operacione policore;
Janë finalizuar 25 operacione në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimeve kibernetike, trafikimit të drogës, si dhe për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar;
Janë vënë në pranga 761 shtetas të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme;
Janë asgjësuar 52 934 bimë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 6.2 kg cannabis, qindra doza të këtyre lëndëve dhe sasi amfetaminë;
Janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatore, 2 antiplumba dhe silenciatorë;
Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash;
Janë parandaluar ngjarje kriminale në Tiranë, Lezhë, Vlorë, e Sarandë që mund të kryheshin nga shtetas që lëviznin të armatosur.
Janë parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve me armë apo sende të forta si dhe i 8 rasteve të tentativës për vjedhje;
Janë sekuestruar pasuri dhe cash me vlerë totale rreth 1.6 milionë euro, të përfituara nga krimet;
Gjatë 2 fazave të operacionit “Identiteti”, Policia e qarkut Tiranë zbuloi raste të falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, për të lëvizur ilegalisht ose për të marrë kredi;
Policia e qarkut Kukës goditi 2 raste të trafikimit të armëve nga Kosova dhe 3 raste të trafikimit të automjeteve;
Gjatë planeve të posaçme operacionale policore, për sigurinë ushqimore dhe atë dentare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare e DPPSh-së zbuloi raste të përdorimit/tregtimit të produkteve të skaduara, me rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetareve;
Janë finalizuar 16 operacione për zbardhjen e vjedhjeve;
Janë goditur 10 raste në fushën e kontrabandës, 7 raste të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufirin ilegalisht dhe 6 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
Janë bllokuar 134 mjete lundruese, pasi drejtuesit e tyre cenuan perimetrin e sigurisë për pushuesit dhe/ose ishin të papajisur me dokumentacionin që kërkon ligji;
Janë konstatuar 34 raste të pushtimit të hapësirave në plazhe, për të cilat, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, janë sekuestruar rreth 2700 komplete me çadra dhe shezlongë;
Jane konstatuar 38 raste të tjera të pushtimit të hapësirave publike, për aktivitete fitimprurëse. Në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë liruar hapësirat dhe sekuestruar objektet e përdorura;
Jane konstatuar 12 raste të ndërtimeve pa leje me 16 shtetas të proceduar penalisht, si dhe janë goditur krime të tjera kundër mjedisit, të tilla si: ndotja e ujërave, dëmtimi i shtratit të lumenjve, si dhe hedhja e inerteve ose mbetjeve të tjera;
Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe homologët, është reaguar menjëherë për 44 raste zjarrvënieje. Hetimet dhe puna policore rezultuan me arrestimin/ndalimin/procedimin e 42 autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia;
Janë proceduar penalisht 72 drejtues automjetesh, sepse duke parkuar dyshe, penguan qarkullimin e automjeteve të urgjencës dhe lëvizjen e qytetarëve;
Policia e Tiranës dhe policitë e qarqeve bregdetare kanë kryer kontrolle të përditshme, me mjete teknologjike zhurmëmatëse, te subjektet që gjenerojnë muzikë. Administratorët e subjekteve që u gjetën në tejkalim të nivelit dhe/ose të orarit, u ndëshkuan penalisht dhe/ose administrativisht;
Është dhënë ndihmë për 55 shtetas që u gjendën në vështirësi për shkak të terrenit, temperaturave, mosorientimit në zona të ndryshme ose defekteve në mjetet me të cilat lëviznin.
Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës ose bëhen shkak për ngadalësim apo bllokim të qarkullimit gjatë këtij muaji me fluks të lartë lëvizjeje.
Në këtë kuadër:
– janë vënë në pranga 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
– janë pezulluar 252 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
– janë vendosur 22 338 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të lartë të hyrje/daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë, gjatë këtij muaji kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.
Në këtë kuadër janë goditur:
– 68 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;
– 10 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;
– 7 raste të mosdeklarimit të shumave të parave.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit, si dhe për të identifikuar dhe ndaluar shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë më ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo paligjshmëri që konstatojnë, pranë njësive fizike të Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 112.
#Korrik2025
#PoliciaPranëTeje 🚔
#BashkëPërSigurinë 🤝
#DenoncoNë112 📞