Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A.S., 59 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Ushtrim aktiviteti të palicencuar në organet tatimore”, pasi nga verifikimet e kryera në subjektin e tij tregtar “Parking”, rezultoi se ushtronte aktivitetin të paregjistruar në organet tatimore.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. E., 51 vjeç, banues në fshatin Baks, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, për njoftim fakti, pasi ditën e djeshme në aksin rrugor “Velipojë-Shkodër”, shtetasi G. L., 22 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur në gomën e pasme biçikletën, që drejtohej nga shtetasja L. N., 49 vjeçe, e cila si pasojë mori disa dëmtime të lehta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Z., 25 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, për shtetasit:

-E. V., 36 vjeç, banues në Bathore, pasi ka bërë kallëzim shtetasja E. Gj., 22 vjeçe, banuese në Laprakë, se ky shtetas i ka vjedhur një celular në lokalin e saj në Pulaj- Plazh. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-P. Sh., 58 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, në banesën e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu