Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shfaqet në konferenca për shtyp duke folur për standarde evropiane nga radhët e policisë, dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në emër të reformës dhe sigurisë, punonjësit e Policisë së Shtetit që ndodhen në misione Frontex po ushqehen me premtime.
Themi premtime sepse mesazhet denoncuese nga ana e tyre kur theksojnë se nuk kanë marrë pagesat për misionet Frontex, janë të shumta. Sërish në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh denoncues ku një prej policëve, në emër të kolegëve të tij shkruan se pagesat për vitin 2025 nuk janë bërë fare, ndërsa ato për vitin 2024 janë dhënë pjesërisht. Sipas policëve, 80% e shpenzimeve të paradhenies për muajt e fundit nuk janë dhënë. Ndërkohë, këta oficerë përfaqësojnë Shqipërinë përballë Bashkimit Evropian, me uniformën dhe dinjitetin që po zbehet nga mungesa e respektit financiar.
Denoncimi:
Pershendetje JOQ! Jemi një grup punonjësish të Policisë së Shtetit, të angazhuar në misionet Frontex, dhe po denoncojmë publikisht një padrejtësi të rëndë që po na bëhet prej muajsh. Ende nuk kemi marrë 20% të pagesave për vitin 2024, asnjë pagesë për vitin 2025, dhe gjithashtu 80% i muajve te fundit nuk eshte dhene qe duhet ta marrim paradhenie per shpenzimet qe do bejme atije ku jemi me sherbim. Ndërkohë që jemi në krye të detyrës dhe përballë sakrificash të mëdha për vendin dhe për Bashkimin Evropian, jemi të detyruar të mbajmë familjet tona me kredi, borxhe dhe pasiguri ekonomike.Kjo situatë është e turpshme dhe e pafalshme për një shtet që kërkon standarde të larta e profesionalizëm nga uniformat blu, por nuk tregon minimalisht respekt financiar ndaj atyre që po rrezikojnë çdo ditë për emrin e Shqipërisë jashtë kufijve. Po mendojmë seriozisht të braktisim Policinë e Shtetit, sepse përballë kësaj padrejtësie, vlera jonë po shkelet çdo ditë. Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe pagesat tona sa më parë, sepse kjo që po ndodh është tallje dhe shkelje e rëndë e të drejtave tona si punonjës të ligjit.
Punonjësit e Frontex janë ndër të vetmit që përfaqësojnë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar për sigurinë kufitare, por nuk kanë marrë as pagesën bazë për të kryer shërbimin. Ata shprehen se po mendojnë të braktisin institucionin, sepse situata është kthyer në një tallje të vazhdueshme me dinjitetin dhe punën e tyre. Kur Proda flet për “motivim të efektivit”, dhe Hoxha për “forcim të rendit publik”, ndoshta nuk e kanë fjalën për ata që janë aktualisht në kufijtë e BE-së me xhepat bosh. Në fund të fundit, duket se më shumë se uniformën, ajo që ka rëndësi është sa mirë e shet propagandën Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme./ Joq Albania