Gjatë vitit 2024 qindra pacientëve u është mohuar trajtimi shëndetësor sipas protokollit në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ për shkak të mungesës së lëndëve radioaktive dhe barnave të kimioterapisë.
Në 8 muajt e fundit, Alma nuk e mban mend sa herë ka trokitur në dyert e Spitalit Onkologjik, por megjithatë përgjigja që ka marrë nga stafi për jodin radioaktiv ka qenë gjithmonë e njëjta.
“Nuk ka, do të të marrim në telefon kur të vijë”, kujton 50-vjeçarja, e cila vuan nga kanceri i tiroides. Gjatë vizitës së fundit në fillim të gushtit, takimi i saj nuk zgjati më shumë se 15 minuta, teksa doli përsëri me kokën ulur nga pavijoni.
“Po më vrasin! Kanë që në janar që më mbajnë me gënjeshtra,” tha ajo, me trishtimin që i dallohej në fytyrë, ndërsa shtoi se i kanë thënë se jodi do të vijë në shtator. “Po pret kanceri im shtatorin dhe jodin kur ta sjellin këta?” pyet ajo.
Alma nuk është e vetmja paciente që kërkon përgjigje. Në QSUNT kurohen edhe 42 pacientë të tjerë nga kanceri i tiroides, të cilët prej janarit nuk kanë marrë mjekimin e tyre me jod radioaktiv.
“Nëse pacienti nuk merr dozën e jodit radioaktiv, është njëlloj sikur një pacient të mos marrë kimioterapi në rastin e një kanceri x në trupin e tij,” tha një mjeke endokrinologe, e cila foli në kushtet e anonimatit për shkak se i druhet hakmarrjeve të mundshme nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa më tepër vonohesh, aq më tepër shtohen shanset për metastaza,” shtoi ajo.
Jodi radioaktiv nuk është e vetmja lëndë radioaktive që mungon në Qendrën Spitalore Universitare. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se mungesa ka dhe ‘technetium-99′, që përdoret për ekzaminimet e shintigrafisë, por edhe në barnat që përdoren për kimioterapinë si ‘gemcitabina’, e cila mungon prej muajit maj.
Në një përgjigje me shkrim, QSUNT pranoi se jodi radioaktiv mungonte që prej muaj shkurt, ndërsa për shintigrafinë ekzaminimi i fundit është bërë tetë muaj më parë, në janar 2024.
Spitali kryesor universitar në vend fajësoi për mungesën Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me seli në Vjenë, me të cilën Ministria e Shëndetësisë ka një marrëveshje për sigurimin e lëndëve radioaktive, ndërsa shtoi se ka hapur një tender për sigurimin e jodit radioaktiv.
“Nga IAEA na është komunikuar se nuk mund të bëjë më marrëveshje me shtetin shqiptar, në lidhje me furnizimin e QSUNT me lëndë radioaktive,” tha Qendra Spitalore Universitare.
“Aktualisht pacientët trajtohen me terapi hormonale frenuese deri në furnizimin me lëndë radioaktive, e cila mban në kontroll nivelin hormonal për një periudhë tre mujore pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale, periudhë e cila kryhet para se të trajtohet me jod radioaktiv 131,” shtoi QSUNT.
Spitali Universitar i tha BIRN se aktualisht në Onkologjik trajtohen 150 pacientë të tjerë që kanë nevojë për gemcitabinë, po edhe pse ka një kontratë të nënshkruar, aktualisht nuk ka furnizime nga importuesi.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim IAEA i tha BIRN se nuk i bënte publike marrëveshjet ose kontratat, por nënvizoi që nuk përfshihet në furnizimin e rregullt të materialeve si Iodine-131.
Marrëveshja e fundit teknike e publikuar midis Shqipërisë dhe IAEA ka filluar në vitin 2018 dhe ka përfunduar në vitin 2023. Një nga fushat kryesore të kësaj marrëveshje ishte mjekësia bërthamore, radioterapia, imazheria mjekësore dhe ushqimi.
Çdo vit në Spitalin Onkologjik, pjesë e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, trajohen rreth 20 mijë pacientë me kancer. Sipas një auditi performance të ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë viteve 2020-2022 u trajtuan 58,295 pacientë me kancer, për një buxhet vjetor që luhatet nga 398 milionë lekë deri në 513 milionë lekë, me një kosto mesatare vjetore për pacient prej 23,817 lekësh.
Sipas KLSH-së, mbi 90% e buxhetit të Spitalit Onkologjik shpenzohet për blerje barnash dhe pajisjesh mjekësore. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nga intervistat me pacientë, familjarët e tyre dhe mjekë tregojnë që mungesat e barnave dhe preparateve për terapitë kundër kancerit janë kronike në QSUNT.
“Ishte e tmerrshme të shikoja nënën pa mjekim,” i tha BIRN djali i një pacienteje 65-vjeçare të operuar nga kanceri në tiroide, i cili pas shumë muajsh pritje, vendosi ta kalojë nënën në një spital privat, pasi sipas asaj që i kishin thënë mjekët, sëmundja nuk mund të priste më.
“Thuajse çdo muaj pyesja për jodin radioaktiv, por asgjë,” kujton ai, ndërsa shtoi se ‘na përcillnin për në shtëpi.’
Ndryshe nga spitali publik, në privat ky preparat ekziston me një kosto shumë të lartë. Familjari tregoi se ka paguar rreth 1200 euro për trajtimin e nënës me jodin radioaktiv në një spital privat.
“I kemi bërë lekët me familjarë, motra e vëllezër”, shpjegoi ai, ndërsa shtroi pyetjet: “Si ka mundësi privati ka dhe shëndetësia publike jo?”
Mjekja endokrinologe e Spitalit Onkologjik që foli për BIRN theksoi se jodi radioaktiv është një terapi mjaft e rëndësishme për të sëmurët me kancer të tiroides. Njësoj si kimioterapia, edhe jodi radioaktiv po nuk u bë sipas protokollit, shkakton përparimin e sëmundjes.
“Ne, bluzat e bardha, përpiqemi dhe lutemi që kur del kjo diagnozë të mos ketë ind mbetës në tiroide, sepse në këto raste është më e kollajshme pjesa e ndjekjes,” tha mjekja me një eksperiencë 10-vjeçare në Onkologjik.
“Në ato raste që ka ind mbetës… duke qene se nuk bëhen fare në QSUNT si analiza, u afrojmë si alternativë që ekzaminimet dhe trajtimet t’i kryejnë në privat,” tha ajo, ndërsa shtoi, “s’kemi rrugë tjetër”.
Ashtu si jodi radioaktiv, edhe mungesa e technetium-99 është kthyer në shqetësim për mjekët e repartit të Radiologjisë në QSUNT, duke u pamundësuar atyre të bëjnë ekzaminimin e shintigrafisë.
“Në shërbimin tonë nuk kryhet asnjë lloj ekzaminimi që ka lidhje me shintigrafinë,” tha një mjek radiolog, i cili zgjodhi të mbetej anonim. “Lënda e technecium ka vlerë diagnostikuese kur përdoret për të bërë shintigrafinë e tiroides, pra shërben për të vënë vënë diagnozën për hipertirozën, nodusin e ftohtë apo nodusin e ngrohtë,” shpjegoi ai.
Mjeku radiolog, i cili ka disa vite në këtë shërbim, thotë se ndjehet shumë keq në këtë situatë, pasi “roli i mjekut është të ndihmojë pacientin për të zgjidhur problemin dhe për të siguruar fitoren, që në fund të fundit është jeta e të sëmurit”.
“Në këto raste ndihem si një njeri që nuk i ka mjetet në dorë për të bërë një luftë të barabartë”, shtoi ai.
QSUNT tha nëpërmjet një përgjigje zyrtare se që prej muajit janar e deri në muajin maj, janë 554 pacientë të cilët nuk janë ekzaminuar sipas protokollit që kanë kërkuar mjekët, përfshirë sëmundjet kockore, tiroidet dhe ato renale.
Nuk janë vetëm elementët radioaktivë që mungojnë prej janarit në QSUNT. Spitali Onkologjik, është kthyer gjithashtu në një makth për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet kancerogjene, për shkak të mungesës së vazhdueshme të medikamenteve për kimioterapi.
Kjo dramë e tyre tregohet nëpërmjet dëshmive të pacientëve, të cilët aktualisht janë të sëmurë më kancer.
Gjatë këtij viti, në periudha në ndryshme kohore, BIRN ka mësuar se kanë munguar katër medikamente të rëndësishme në luftën kundër kancerit – gembcitabinë, irinotekani, erlotinib, paxlitacel, të cilat sigurohen vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, pasi janë medikamente spitalore dhe nuk mund të gjenden në farmaci.
Mungesa e këtyre e barnave ka sjellë pasoja negative në shëndetin e pacientëve dhe ka alarmuar familjarët e tyre.
Havaja, 65-vjeçe, është diagnostikuar me kancer gjiri dhe po kurohet në Spitalin Onkologjik. Në muajin maj e kanë lajmëruar se medikamenti për kimioterapi “gemcitabinë” mungon dhe se terapia duhet të ndërpritej dhe ka rifilluar në muajin gusht.
“Po më vrasin nënën”, tha i biri, ndërsa shtoi se ndjehej ‘i shkatërruar.’
Burri 40-vjeçar kujtoi se analizat e nënës përpara mungesës së gemcitabinës ishin në rregull dhe pa probleme, por me mungesën e këtij ilaçi nëna pati metastaza.
“Kanceri në trupin e nënës sime u përhap,” tha ai, ndërsa uli kokën dhe qau. “Më ka rritur me shumë mundime nëna ime dhe sot unë nuk mundem t’i siguroj mjekimin që të luftojë kancerin,” shtoi ai mes lotëve.
40-vjeçari rrëfeu së është munduar ta sigurojë ilaçin kontrabandë, por nuk ka mundur ta gjejë në farmaci.
“Isha i gatshëm të shisja çdo gjë, por nuk gjeta,” tha ai, ndërsa shtoi se mungesa e këtij bari përbënte krim.
“Të hetojë SPAKU siç duhet dhe do e shikoni sesi i vrasin njerëzit duke mos u siguruar ilaçet e nevojshme,” tha ai, ndërsa theksoi se askush nuk mban përgjegjësi për avancimin e sëmundjes tek nëna e tij.
Një mjeke onkologe, e cila punon prej vitesh në këtë shërbim, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se situata ishte e rëndë pasi shumë pacientë me kancer kanë mbetur pa mjekim.
“Në kancerin e pankreasit, të fshikëzës së urinës, në kancerin e mushkërive dhe atë të gjirit, gemcitabina përdoret si linjë e parë mjekimi,” shpjegoi ajo.
“Pra, nëse një pacient diagnostikohet me këto sëmundje dhe ti nuk ke këtë medikament, i ke mohuar të sëmurit trajtimin që në fillim”, shtoi mjekja.
Mjekja onkologe shpjegoi se ky medikament nuk ka zëvendësues dhe për pasojë pacientët nuk mund të marrin asnjë medikament tjetër, nëse ai është në mungesë.
“Si pasojë e mungesës së gemcitabinës, kemi pasur pacientë të cilët janë përkeqësuar apo kanë bërë metastaza”, tha ajo.
Fakti që gemcitabina nuk ka një ilaç tjetër zëvendësues, pranohet edhe nga QSUNT, në përgjigjen zyrtare. Por sipas Spitalit Universitar “pacientët nuk janë lënë pa trajtim, pasi janë përdorur skema të tjera trajtimi sipas rastit, bazuar në protokollet mjekësore dhe stafeve përkatëse”.
Djali i Havasë, i cili tha se nuk fliste dot me emër pasi kishte frikë se Spitali do hakmerrej duke i mohuar kimioterapinë nënës së tij, tha se përballjen si pacient në QSUNT nuk do t’ia uronte as armikut.
“Kjo është me ta përvëluar shpirtin për së gjalli,” theksoi ai. “Ta shikosh njeriun tënd të vdesë sepse s’ka ilaç.”/BIRN