Ilir Toska është anëtari i ri dhe i nëntë dhe i fundit i Gjykatës Kushtetuese, shkruan newsbomb.al. Në mbledhjen e zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, emri i tij ka marrë 13 vota dhe është renditur i pari, duke fituar emërimin në Kushtetuese.
Ilir Toska ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë si dhe kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në prill të vitit 2007, ai është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Në vitin 2012, Ilir Toska ka kryer gjithashtu detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Aktualisht ajo ka në përbërje 8 anëtarë, pa emrin e Ilir Toskës sot.
Gjyqtari Toska u bë pjesë e listës prioritare të vettingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në vitin 2018, në atë kohë me detyrë gjyqtar i Apelit të Tiranës, Ilir Toska e kaloi me sukses vettingun, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk konstatoi probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale si dhe rrëzoi si të pabazuar në fakte një raport negativ të DSIK për pastërtinë e figurës.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë: 1. Vitore Tusha, kryetare, 2. Marsida Xhaferllari, anëtare, 3. Fiona Papajorgji, anëtare, 4. Elsa Toska, anëtare, 5. Altin Binaj, anëtar, 6. Sonila Bejtja, anëtare, 7. Sandër Beci, anëtar dhe 8. Përparim Kalo, anëtar.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë:
Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, te ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 12 shtator 2022, ora 10.00, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në përfundim të procesit të votimit, komisioni renditi të parin z. Ilir Toska me 13 (trembëdhjetë) vota. Në këto kushte, z. Ilir Toska zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.