Plani i Mobilitetit shembull i mos-koordinimit të politikave të zhvillimit të territorit në Bashkinë Shkodër.
Në mungesë edhe të pranisë sime në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak po shpreh komentin tim mbi planin e Mobilitetit, komente që janë pasqyruar edhe më në dëgjesën publike të planit.
Dua të them që në krye të herës që plani në vetvete është një instrument i arrirë në mendimin tim i cili shpreh parimet më të reja të levizshmërisë dhe unë do ta kisha votuar këtë dokument sepse sjell qasjen e hapsirës rrugore si hapsirë publike dhe ndërveprimi dhe jo hapsirë për automjetet, po ashtu për faktin që ky plan shkon në linjë me ato argumente që unë kam dhënë në këshill kundër zhvillimeve territoriale siç është ndërtimi i kullës apo ndërhyrje të tjera.
Ajo çka çalon ky dokument është që ngjan si një ‘ishull’ i izoluar në raport me atë çka realisht implementohet në bashki e cila vërehet në 2 aspekte.
Ky plan nuk ka koordinim dhe koherencë me politikat e tjera të zhvillimit të territorit.
Për shembull Bashkia Shkodër po ndjekë një politikë agresive të rritjes së dendësisë urbane me dhënie të lejeve të ndërtimeve shumëkatëshe në qendër të qytetit ndërkohe plani i lëvizshmërisë si një masë kryesore ka krijimin e akseve me trafik të kufizuar në qendër të qytetit (rruga tek ish-salla e lojrave, rruga mbas Teatrit, degëzimet e rrugëve të Zdrales, degëzimet mbas lulishtes tek instituti, degezimet e Gjuhadolit) ku synohet demotivimi i levizjes me makina. Që kjo të behet realitet ‘qendra’ duhet të shërbejë thjeshtë si rrugë-kalimi dhe jo destinacion në vetvete. Lejet e ndërtimit në qendër bëjnë pikërisht këtë që qendrën e kthjnë në destinacion dhe dhe kjo shton numrin e makinave aktive në qëndër. Për ta ilustruar këtë po marr shembullin e ‘kullës’. Vetëm kulla shton një sipërfaqe ndërtimi në zonë rreth 40 000 m2 gjë që me shërbimet që disponon si ndërtesë duhet të ketë rreth 1500-2000 parkime pra marrim të mirqënë që për 1500 makina si numër i shtuar, qendra do të kthehet në destinacion për të shkuar kjo dë të thotë që intensiteti i trafikut do të rritet me 1500 makina në qendër mbështetur me rrugë me trafik të kufizuar kjo do të sjellë një kaos të shtuar në qendër. (Sigurisht që masa e rrugëve me tragik të kufizuar nuk do të zbatohet kurr nga presioni i biznesit që do ketë në qendër)
Argumënti i dytë ka të bëjë me vullnetin e bashkisë për ta implementuar këtë plan, fundja ky plan nuk ka forcë ligjore për të patur presion mbi institucionin që e zbaton kështu që kthehet në një lodër në duart e bashkisë. Për ta ilustruar këtë po analizoj disa rrugë në zbatim e sipër të bashkisë nëse i plotesojnë parimet e planit të mobilitetit.
Rasti i parë ka të bëjë me projektin i rrugëve të Fermentimit ku po të shohim projektin do të thotë që projektimi lë për të dëshiruar, kemi rrugë të projektuara dhe të zbatuara që nuk kanë trotuare e le të mos flasim për korsi biçiklete apo ndonjë element tjetër sigurie në rrugë në një kohë që plani i mobilitetit thotë që rrugët periferike duhet të kenë elememt te shtuar të sigurisë rrugore duke nxitur ecjen në këmbë. ( Masa 12 e Planit)
Rasti i dytë ka të bëjë me zbatimin pa projekt të rrugës Don Bosko si një rrugë e rëndësishme e qytetit ku nuk kemi projektim fare nuk kemi asnjë parim të zbatuar të asaj çfar thotë plani i mobilitetit, minimalisht nuk kemi as rampa në trotuare për njerëzit me aftësi ndryshe nuk flasim fare për korsi biçiklete apo norma të shtuara sigurie në bazë të funksioneve që ka rruga duke kujtuar që aty ka edhe institucione arsimore.
Rasti i tretë dhe më flagranti është projekti i zgjerimit të rrugës së Bahçallekut një projekt kryekëput në kundërshti me planin e mobilititet. Një projekt që nuk ka prioritet sigurinë rrugore por ka prioritet shtimin e korsive por jo domosdoshmerisht zgjidhjen e problemit të trafikut. Një projekt në kundshti me interesin publik të lagjes dhe zonës ku krijon pengesa fizike për aksesin në të dy anët e rrugës. Një projekt pa trotuare pa asnjë mundësi për pedalim dhe pa gjelbërim gjatsor në rrugë.
Pra edhe pse plani i mobilitetit në vetvetë mund të tentojë të përmirësojë lëvizshmërinë rëndësi ka se si dhe sa zbatohet dhe sa vullnet ka bashkia ta realizojë këtë plan. Hallka që i mungon këtij plani është hartimi i rregullores së projektimit të rrugëve që zbaton parimet e planit.






