Pisha e zezë në vendin tonë po përballet me rrezik serioz degradimi si pasojë e përhapjes së proçesionares, e njohur ndryshe si krimbi i pishës. Fenomeni vijon të jetë i ndjeshëm edhe këtë vit, veçanërisht në zonat e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, të konsideruara si kryeqendra e pyjeve shqiptare.
Sipas ekspertëve pyjorë, rreth 25 mijë hektarë pyje në këtë zonë rrezikohen drejtpërdrejt nga ky insekt dëmtues. Pasojat në pishën e zezë janë të konsiderueshme, duke filluar nga ngadalësimi i zhvillimit e deri te tharja e plotë e drurëve.
“Pasojat e proçesionares në pishën e zezë janë kryesisht ngadalësimi i rritjes, por ka edhe raste që çojnë në tharjen e plotë të saj. Ka ndodhur që këta drurë të shkojnë deri në tharje totale,” shprehet Sokol Vata, inxhinier pyjesh.
Sipas specialistëve, një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në përhapjen masive të krimbit të pishës janë kushtet klimatike.
“Ndryshimet klimatike, me dimra më të butë dhe vera më të ngrohta, kanë favorizuar përhapjen e proçesionares. Kjo ka bërë që ajo të ngjitet më lart në kurorat e pishës së zezë,” thekson Artmir Dodaj, inxhinier pyjesh.
Por proçesionarja nuk përbën rrezik vetëm për drurët pyjorë. Sipas ekspertëve, në disa raste janë vërejtur pasoja edhe te njerëzit dhe bujqësia.
“Është kancerogjene për lëkurën. Pluhuri i saj, në kontakt me lëkurën, shkakton ekzema. Gjithashtu, janë evidentuar pasoja edhe në bujqësi, kryesisht te kultura e mollës dhe domates,” sqaron Vata.
Prej vitesh është diskutuar ngritja e një laboratori për luftimin e këtij fenomeni. Megjithëse një pjesë e pajisjeve kanë mbërritur nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve, laboratori ende nuk është plotësuar dhe vënë në funksion. Ndërkohë, fenomeni vijon të zgjerohet, duke shkaktuar dëme shpesh të parikuperueshme për ekonominë pyjore të vendit.






