Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i është bashkuar mbështetjes ndërpartiake, Asociacionit të Gazetarëve, SCIDEV-Center dhe Safe Journalists në mirëpritjen e vendimit të RTSH-së për të pezulluar procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm.

Në një reagim publik, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë thirrje për një proces transparent, të bazuar në meritë, që të sigurojë drejtësi dhe llogaridhënie.

“Presim me interes seancën dëgjimore të së hënës”, theksohet më tej.

Kujtojmë se pas thirrjes nga Komisioni Parlamentar i Medias, Këshilli Drejtues i RTSH-së pezulloi deri të hënën vendimin për të skualifikuar nga gara tetë nga 10 kandidatët për drejtues të televizionit publik.

Në një mbledhje urgjente te zhvilluar një ditë më parë nën drejtimin e nënkryetarit Gëzim Podgorica, me nëntë vota pro është vendosur që e gjithë vendimmarrja të vijojë pasi të zhvillohet një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias, e paralajmëruar për në fillim të javës së ardhshme.

Në të njëjtën kohë është marrë vendim që të shtyhet edhe mbledhja e parashikuar për nesër nga Këshilli Drejtues, i cili do të zhvillonte seancë dëgjimore me dy kandidatët e mbetur në garë.

Vendimmarrja e pak ditëve më parë ku përmes një votimi të paligjshëm, shumica e kandidatëve, mes tyre edhe emra të njohur të gazetarisë si Eni Vasili, u lanë jashtë garës, u kritikua ashpër nga Kuvendi ku në një gjuhë te përbashkët PD dhe PS paralajmëruan masa drastike për Këshillin Drejtues nëse nuk do ta rikthente garën në televizionin publik.

I ndodhur në këtë situatë Këshilli me vendimmarrjen e fundit i ka dhënë kohë vetes deri javën tjetër për të parë më pas edhe se si do të vijojë procedura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu