Marie Logoreci, Nderi i Kombit! 

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Maria ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative dhe më vonë Gjimnazin e Shkodrës. Që në këtë kohë filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë. Nga kjo kohë ruhen rreth 20 vizatime të asaj të cilat dëshmojnë për një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Kola iste shef i Buxhetit të Shtetit dhe kishte titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Ai ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Në këtë kohë në pasionet e Maries u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër. Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, e të Shqipërisë së mesme. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në Korin e Përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në nëntor të vitiate 1947 filloi punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e Teatrit ishte Xhesi në Çështja ruse. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu.

Marie Logoreci u nda nga jeta më 19 qershor 1988 në Tiranë.

Interpretime në Teatër: (disa nga sukseset)

1947: Çështja ruse – Xhesi 

1947: Tartufi – Elmira 

1949: Rrënjë të thella – Alisa Lengton 

1950: Komploti i të dënuarve – Kristina Padera 

1950: Halili dhe Hajria – Fatimja 

1950: Makar Dubrava – Olga Andrejevna 

1952: Gjashtë dashnorët – Aljona Patrovna 

1954: Toka jonë – Loke 

1956: Armiqtë – Kleopatra Petrovna 

1957: Intrigë e dashuri – Ledi Milford 

1957: Orët e Kremlinit – Zabelina 

1958: Shtatë shaljanet – Tringa 

1960: Hamleti – Gertruda 

1961: Shtëpia e Bernarda Albes – Bernarda Alba 

1962: Mbi gërmadhat – Musinea 

1962: Morali i zonjës Dulska – Tadrahova 

1962: Rrëshqitja – Fitneti 

1963: Shtërngata – Lu Së Ping 

1966: Muri i Madh – Nëna Xhun 

1966: Përkolgjinajt – Mara 

1967: Drita – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci 

1967: Cuca e maleve – Prenda 

1968: Çatia e të gjithëve – Plaka 

1972: Gjenerali i ushtrisë së vdekur – Kontesha Xampa 

1977: Përmbytja e madhe – Gjela

Interpretime në film:

1953: Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu 

1957: Fëmijët e saj 

1958: Tana 

1963: Detyrë e posaçme 

1954: Toka jonë 

1966: Oshëtime në bregdet 

1969: Njësiti guerril 

1973: Operacioni Zjarri 

1975: Gjenerali i ushtrisë së vdekur 

1978: Nga mesi i errësirës 

1978: Dollia e dasmës sime 

1979: Çeta e vogël

Për punën e saj Marie Logoreci është nderuar me:

Titulli “Artiste e Merituar”, 1961 

Titulli “Naim Frashëri”, 1969 

Titulli “Artist i Popullit”, 1975 

Urdhëri “Nderi i Kombit”, 2015 (pas vdekjes)

Në nderim të figurës së saj janë emërtuar:

Rruga Marie Logoreci 

Shkolla Marie Logoreci

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu