Turistët vendas e të huaj që vizitojnë Thethin, tashmë mund të përjetojnë bukuritë natyrore të kësaj zone përmes rrugës Breg Lumi-Theth.
Ky segment është pjesë e lotit të dytë të rrugës së Dukagjinit, ku janë kryer punime për zgjerimin e trasesë, nivelimin e terrenit dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse, duke përmirësuar infrastrukturën dhe sigurinë përgjatë këtij aksi rrugor.
Investimi pritet ta kthejë këtë zonë, në një pol të rëndësishëm turizmi, duke i dhënë një dimension tjetër edhe zhvillimit ekonomik. Loti i parë I kësaj rruge ishte 17 km, ndërsa loti I dytë 30 km.
Kjo rrugë konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në infrastrukturë, jo vetëm për zonën e Dukagjinit, por për të gjithë bashkinë Shkodër, pasi mundëson rigjallërimin social dhe ekonomik të fshatrave si pjesë e projektit “Rrugët e bardha”.
Rruga e Dukagjinit, ku përfshihen disa fshatra, mes tyre Kir, Nicaj-Shosh, Pepaj, Lotaj, Ndërlysaj, etj, është një nga segmentet ku ndërhyrjet në infrastrukturë kanë qenë të domosdoshme për lehtësimin e përditshmërisë së banorëve vendas dhe jo vetëm.
Segmenti Breg Lumi-Theth, kompleton rrjetin rrugor të Alpeve. Thethi ka një histori 2800-vjeçare, ndërsa në vitin 1966 është shpallur Park Kombëtar. Si pjesë e Alpeve Shqiptare, Thethi është kthyer në pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë që kërkojnë eksperienca autentike.