Screenshot

Prefektura e Qarkut Shkodër, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe të emergjencave civile në territorin e Qarkut Shkodër, si dhe në koordinim të plotë me strukturat përgjegjëse, paraqet informacionin e përditësuar

Bashkia Shkodër

Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përmirësim gradual. Gjatë natës është konstatuar ulje e nivelit të ujit në zonat Obot dhe Dajç. Në aksin rrugor Obot – rruga kryesore vazhdon të ketë prezencë uji rreth 100 cm, çka e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të Forcave të Armatosura. Megjithatë, ditën është realizuar kalimi i një kamioni për furnizimin e zonës.

Transporti i banorëve është siguruar nëpërmjet varkave të Forcave të Armatosura. Aktualisht, në zonën e Obotit ka prezencë uji në oborre, ndërsa nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë.

Në Njësinë Administrative Dajç është evidentuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm në zonën Urrelat – Shirq, me dalje uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Monitorimi nga strukturat përgjegjëse vijon pa ndërprerje.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Dajç: 80 ha

Velipojë: 120 ha

Ana e Malit: 550 ha

Bërdicë: 50 ha

Totali: 800 ha

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm.

AREB Shkodër

Sipas informacionit të administruar nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Shkodër, janë vlerësuar rreth 900 ha tokë bujqësore nën ujë në nivel qarku, konkretisht në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Vau Dejës.

Në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Vukpalaj janë ende 20 banesa me ujë rreth oborreve, por niveli i ujit ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Nuk ka prezencë uji në tokat bujqësore, por të gjitha livallet nga Vija e Vrakës (Njësia Administrative Gruemirë) deri në fshatin Gashaj (Njësia Administrative Kastrat) mbeten të përmbytura nga prurjet e Liqenit të Shkodrës.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë

Sipas të dhënave të raportuara më datë 13.01.2026, nivelet e ujit në pikat monitoruese mbeten në këto kuota:

– Niveli i lumit Buna në Dajç është 6.60 m

– Buna te Ura e Vjetër (Pazar) 8.60 m

– Drini te Ura e Bahçallekut 8.30 m.

– Nivelet e ujit në hidrovoret e Velipojës janë poshtë kuotave kritike dhe nuk paraqesin rrezik.

Reparti Ushtarak Vau Dejës – 1010

Reparti i Këmbësorisë së Veriut vijon operacionin në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit me angazhimin e 20 forcave, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 motovarka druri, në funksion të transportit dhe asistencës për banorët e zonës.

DRV Shkodër

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

– Në aksin Harku i Bërdicës – Velipojë, pranë fillimit të Bypass-it të Bërdicës, një tubacion i dëmtuar ka shkaktuar rrjedhje uji dhe formim akulli në karrexhatë. Janë marrë masa të menjëhershme me hedhje kripe dhe situata vijon të monitorohet.

Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore

– Akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

– Në zonën e Qafë Thorës nuk është evidentuar rrezik nga ortekët. Vijon puna për pastrimin e borës së sjellë nga era dhe kriposjen e akseve rrugore.

Vijon misioni i Forcave Tokësore në zonën e Obotit, me fokus në lehtësimin e kalimit të banorëve, si dhe ofrimin e asistencës së vazhdueshme për furnizimin me ujë të pijshëm dhe pako ushqimore për familjet e prekura. Të gjitha veprimet po realizohen në kuadër të një koordinimi të plotë dhe të pandërprerë ndërmjet strukturave të Mbrojtjes Civile, Forcave Tokësore dhe strukturave vendore, me qëllim menaxhimin efektiv të situatës.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës, në koordinim me të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, për menaxhimin e emergjencave deri në normalizimin e plotë të situatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu