Dita e sotme ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të situatës së përmbytjeve në Bashkinë Vau Dejës. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit, dëmet e shkaktuara janë të mëdha për banorët e zonës. Banorët shprehen se situata ka qenë e vështirë dhe se përmbytjet janë pasojë e mungesës së investimeve në zonë, veçanërisht në sistemin kullues dhe mbrojtjen nga prurjet e lumenjve.
Ernest Paluku, një nga banorët që ka pësuar dëme të konsiderueshme në biznes dhe në banesë, tregon vështirësitë e përjetuara dhe humbjet financiare që ka shkaktuar kjo përmbytje.
Vau Dejës ka qenë bashkia më e prekur në qarkun e Shkodrës nga reshjet intensive dhe vërshimi i përroit të Glinës, që solli përmbytjen e rreth 100 banesave. Sipas informacioneve zyrtare, Bashkia Vau Dejës ka nisur procesin e evidentimit të dëmeve dhe do të përgatisë një përllogaritje financiare të plotë të pasojave të shkaktuara nga kjo situatë.






