Prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni teksa inspektoi zonën e përmbytur të Anës së Malit, u shpreh se kjo situatë ishte e pritshme.
Kjo siç tha ajo, sepse prurjet e lumenjve janë të mëdha dhe vijojnë prej ditësh.
“Jemi në një situatë shumë të menaxhueshme. Kemi një rritje të Bunës për shkak se kemi rritje të liqenit të Shkodrës. Jemi në pikë kyçe, por jemi pikërisht në momentin për ta menaxhuar.
Kemi situatë jo vetëm në Bashkinë e Shkodrës, por kemi situatë shumë të vështirë sepse përveç shiut kemi edhe reshje të dendura bore. Nga informacionet që kemi të gjitha rrugët janë të zhbllokuara, por lëvizet me vështirësi nga Tamara deri në Vermosh. Lëvizet me vështirësi edhe nga Boga deri në Qafë-Thore, ku kemi rënie orteqesh përtej tuneleve. Kështu që kjo rrugë për momentin është e bllokuar.
Kemi rrëshqitje dherash në Prekal, dhe po punohet me fadroma. Kemi një rrëshqitje te Ura e Bardhajve. Kemi në Fushë-Arrëz dhe Pukë dëmtime jo vetëm të rrugëve, por dhe fasadave të mureve si rezultat jo vetëm i reshjeve, por dhe ngricave. Po ashtu kemi vështirësi edhe në Bashkinë Vau i Dejës. Por përtej kësaj panorame, jemi në një situatë të menaxhueshme”, u shpreh Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni.






