Një prej figurave poliedrike, françeskani i Visareve të Kombit, vjollca e letrave shqipe, at Donat Kurti u përkujtua në 120 vjetorin e lindjes përmes një konference shkencore. Provinca françeskane të cilës ai i përkiste, në bashkëpunim me universitetin e Shkodrës dhe qendrën e studimeve albanologjike sollën në këtë ditë ekspozitën e dorëshkrimeve të mësuesit, mbledhësit të folklorit, publicistit dhe përkthyesit shqiptar.
Doke e Zakone ka një rëndësi për identitetin tonë prandaj veprat e tij dhe franceskanëve shqiptarë duhet studiuar e ristudiuar thonë at Demaj.
Emri i at Donat Kurtit si studiues del në shumë fusha të studimeve albanologjike, në atë gjuhësore, historike, etnologjike dhe kryesisht folkloristike.
Zv/rektorja e universitetit të Shkodrës Paulina Hoti thotë se të tilla nisma janë një kor këmbanash që kumbojnë kundër kulturës së harresës. Ajo apelon që historia t’i japë vendin e duhur këtyre personaliteteve, ndërsa kërkon të dënohet apologjia komuniste.
Ai u burgos dhe ishte një nga klerikët që u akuzua se futi armët në kishën Franceskane në Shkodër. Mbesa e tij Margerita Toska (Radovani) tregon 17 vitet e ferrit në jetën e tij.
At Donat Kurti shquhet për mbledhjen e ciklit të kreshnikëve, në vëllimin Visaret e Kombit së bashku me at Bernardin Palaj dhe Prrallat Kombëtare. I dashuruar me vendin e tij dhe jetën e thjeshtë shqiptare, ai në veprat e tij na njeh me lashtësinë e popullit tonë, zakonet, traditat, besën. Në vitin 1937 në Romë ai do të merrte titullin doktor shkencash, ndërsa në Shqipëri do të shpallej ne vitet e para të pluralizmit, mësues i popullit dhe pishtar i demokracisë.






