21 Maji, çdo vit mbledh ish-të burgosur, të internuar, familjare të tyre në ish- Kampin e punës së detyruar të Spaçit. Por në këtë 52-vjetor të revoltës së Spaçit, historia e asaj dite të shënuar erdhi përmes tingujve të kujtesës, një koncert i organizuar nga fondacionit kujto.al ku në qendër kishte poezitë e këngët e krijuara në ato qeli e galeritë e Spaçit.
Tingujt e ‘Këngës së vajit’, sollën emocione të forta për të pranishmit, ku e gjithë salla heshti duke sjellë në kujtesë dhimbjen e revoltës së Spaçit.
Heronjtë e ditës kur kampi i Spaçit u ngrit në revoltë 52 vjet më parë Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj e Pal Zefi u kujtuan përmes vargjeve të poezive te Havzi Nelës e Visar Zhitit interpretuar nga Jozef Shiroka. Ky ishte edicioni katërt i ‘Tingujve të kujtesës’, që ka për qëllim risjelljen në vëmendjen dhe mosharresën e krimeve të bëra nga diktatura komuniste.