Ndërsa lufta antikanabis vijon në të gjithë vendin, tashmë përmes operacioneve në rrugë tokësore nga policia dhe përmes identifikimit me dron, misioni i Guardia di Finanza e ka mbyllur edhe për këtë vit punë e tij me monitorimet nga ajri. Ministri i Brendshëm Taulant Balla falënderoi oficerët Italian për punën e bërë ndërsa vuri në dukje peshën dhe rëndësinë që ka pasur misioni i GdF në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe shprehu mirënjohjen në emër të shtetit shqiptar për punën e tyre. Gjatë këtij viti janë kryer 185 orë fluturime në 63 misione nga veriu në jug. Balla u ndal edhe në afërsinë dhe bashkëpunimin policor mes dy vendeve duke u shprehur se misione si kjo që sapo përfunduam janë një dëshmi e gjallë e afërsisë së institucioneve italiane me institucionet shqiptare, veçanërisht mes Guardia di Finanza dhe forcave tona të Policisë së Shtetit. “Me megaoperacionin policor, i nisur në agimin e datës 14 shtator dhe ende në vazhdim në të gjithë vendin, i quajtur “Tempulli”, kemi dashur të shprehim qartë dhe pa asnjë hezitim vullnetin e vendosur të qeverisë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike të drogës, për ta luftuar atë shtëpi më shtëpi, në çdo lagje, në çdo fshat, larg apo afër, pa lënë zona të lira.” Në lidhje me aksionet policore, Ministri u ndal edhe në angazhimin e shtuar të strukturave policore në sigurinë e shkollave. “Ne e nisëm qëllimisht aksionin tonë nga shkollat, për t’i bërë të sigurta subjektet më vulnerabël: për t’i mbajtur larg rrezikut të përdorimit të drogës dhe varësisë, por edhe për t’u dërguar mesazhin atyre dhe familjeve të tyre se shteti është prezent me të gjithë forcën e saj dhe se duhet të kenë besim tek institucionet tona,” tha Ministri Balla. Në fund të fjalës së vet, Balla falënderoi edhe Ambasadorin italian për angazhimin dhe kontributet e tij në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ambasadori Bucci nga ana e tij, duke shprehur vlerësimet e tij për punën 60 ditore të ministrit Balla dhe rezultatet e arritura nga Policia Shqiptare si dhe duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër narkotikëve. Mesazhi që duam të japim sot është që lufta e përbashkët kundër kriminalitetit dhe trafikimit të narkotikëve vazhdon deri në fitoren përfundimtare”.






