Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përfunduar fazën e parë të kontrolleve në terren, si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme për forcimin e ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Gjatë këtij operacioni, janë bllokuar plot 103 ton mallra, ndërsa 283 subjekte janë inspektuar në total.
“Gjatë kësaj faze janë kontrolluar gjithsej 283 subjekte, duke rezultuar në bllokimin e 103 ton mallra, për shkak të shkeljeve të konstatuara në lidhje me dokumentacionin fiskal dhe rregullsinë e qarkullimit të produkteve.
Autoritetet njoftojnë se ka nisur faza e dytë e monitorimit, e cila do të fokusohet në verifikimin e vazhdueshëm të shoqërimit të produkteve me faturë tatimore, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo subjekti që operon në informalitet.
Qëllimi i këtij aksioni është i qartë:
Formalizimi i tregut,
Rritja e sigurisë ushqimore,
Mbrojtja e konsumatorit”- sqarohet në njoftim.
Tatimet bëjnë të ditur se nuk do të lejojnë asnjë tolerim ndaj bizneseve që shkelin ligjin duke shitur produkte bujqësore apo blegtorale pa lëshuar faturë.