Grupi ultras i kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi”, ka njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm në stadium për përballjen e shumëpritur Shqipëri–Serbi, duke shënuar kështu herën e parë që mungojnë në një ndeshje të tillë.
Arsyeja e këtij bojkoti është mospjesëmarrja në shorteun për biletat, të cilin TKZ e cilëson si “një farsë”.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ata akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit për favorizime dhe përjashtim të qëllimshëm, duke e quajtur FSHF-në “miq të Serbisë”.
Për herë të parë që nga themelimi, tash e 21 vite, nuk do të jemi në stadium për të përkrahur Kombëtaren tonë. Në fakt, kjo është hera e dytë. Herën e parë më 14.10.2014, nuk na lanë shkijet. Tash më 07.06.2025, nuk po na lejojnë miqtë e shkijeve (FSHF), dhe atë në shtëpinë tonë. Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një “shorti” të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm.
Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithpërfshirje, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vite. Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro. Është e paimagjinueshme që një familje shqiptare mesatare, një prind me bashkëshorten dhe dy fëmijë, të duhet të paguajë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje, aq sa kushton një javë pushime në qershor. Kjo është politika përjashtuese e Federatës Shqiptare të Futbollit: nëse nuk je i pasur, nuk ke vend në stadium. Por jo të gjithë jemi milionerë si Presidenti i FSHF-së dhe rrethi i tij. Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO. Diçka e tillë nuk është parë kurrë. Le të fitojë njëherë Kombëtarja’, thuhet në reagim.