Të nderuar bashkëqytetarë,

Ky vit po mbyllet me një bilanc negativ për banorët e Shkodrës. Ekonomia e familjeve vazhdon të ulet, duke arritur kufirin e varfërisë. Vëmendja dhe mbështetja nga shteti nuk duket askund; përkundrazi, viti i ri 2025 pritet të jetë edhe më i vështirë ekonomikisht.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, i emëruar nga bandat, të enjten prezantoi para Këshillit Bashkiak buxhetin e varfërimit.

Buxheti i vitit 2025, i cili u miratua nga të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, parashikon dyfishimin e taksave dhe tarifave lokale. Nuk parashikon investime serioze nga taksat tona, por aktivitete sociale të panevojshme, ku paratë shpenzohen pa efektivitet dhe vidhen.

Shkodra, një nga qytetet më të varfra në Shqipëri, nuk meriton dyfishimin e tarifës së ujit të pijshëm. Nga 1 janari, shkodranët do të përballen edhe me këtë rritje, përveç dyfishimit të tarifave të pastrimit, ndriçimit dhe gjelberimit.

Buxheti i vitit 2025 nuk mbështet asnjë kategori të banorëve të Shkodrës:

  • Nuk mbështet fëmijët dhe investimet në kopshte e çerdhe;
  • Nuk mbështet çiftet e reja dhe ndihmën për blerjen e shtëpive;
  • Nuk mbështet fermerët;
  • Nuk mbështet familjet në vështirësi ekonomike;
  • Nuk mbështet bizneset e reja;
  • Nuk mbështet asnjë qytetar, por kërkon t’i vështirësojë jetesën dhe t’i detyrojë të largohen drejt rrugëve të Evropës e të botës.

Edi Rama dhe Benet Beci janë si vëllezër në konceptin qeverisës. Politika e tyre është dyfishim taksash dhe tarifash, varfërim dhe vetëm varfërim.

Benet Beci nuk ka propozuar uljen e asnjë takse apo tarife; të gjitha i ka rritur pa asnjë arsye.

Ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, e dënojmë këtë model dhe jemi kundër politikave varfëruese. Me ardhjen tonë në pushtet, çdo qytetar do të ndihet i vlerësuar dhe mirëqenia e secilit do të jetë prioritet. Ekonomia është pika kyçe e programit tonë. Ulje taksash dhe tarifash për çdo shqiptar, rritje pagash e pensionesh – kjo është ajo që ne do të realizojmë, për të ndaluar hemoragjinë e rinisë drejt shteteve të huaja.

Shkodranët nesër do të vërshojnë drejt Tiranës, për të reaguar ndaj padrejtësive dhe për t’i dhënë një goditje të fortë regjimit varfërues.

Nesër, e hënë, më 23 dhjetor, në orën 17:00, shkodranët do të jenë në Tiranë për t’i thënë ndal vjedhjes dhe pasurimit të pushtetarëve.

Ftoj çdo qytetar të bëhemi bashkë! Është radhë e jonë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu